
Behgjet Pacolli ka reaguar sërish lidhur me situatën në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke pretenduar se hyrja në zonën e punimeve është bllokuar nga kamionë dhe roje private, veprim që sipas tij po kryhet me mbështetjen e ortakut të tij në projekt, Valon Ademi.
Ai e lidh ngjarjen me moszbatimin e vendimeve të gjykatave, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë, duke theksuar se, sipas tij, institucionet shtetërore nuk po ndërhyjnë për të garantuar ekzekutimin e tyre dhe për të siguruar funksionimin normal të punimeve në një aset që e konsideron strategjik.
Pacolli ka përdorur një gjuhë të fortë në reagim, duke e cilësuar situatën si tejkalim të një konflikti biznesi dhe si një çështje që prek funksionimin e shtetit ligjor. Ai ka ngritur pyetje mbi rolin e institucioneve dhe ka theksuar se, sipas tij, bllokimi fizik i kantierit përbën problem serioz juridik dhe institucional.
Në reagimin e tij ai ka kërkuar edhe ndërhyrje të SPAK-ut, duke deklaruar: “Apelojmë te SPAK që të filloj hetimin”, ndërsa ka shtuar se nuk bëhet fjalë më për një mosmarrëveshje të zakonshme, por për një situatë që, sipas tij, prek drejtpërdrejt autoritetin e ligjit.
Reagimi i plotë
“Grupet kriminale prapë kanë bllokuar aksesin në Aeroportin e Vlorës, ku Mabco ka investuar mbi 310 milionë euro! APELOJME TE SPAK QË TË FILLON HERTIMIN E THELL. nuk është çështje konflikti, është çështje më e thell!!! A është KRIM bllokimi i një aktiviteti të ligjshëm me roje private, mjete të rënda dhe vetëgjyqësi?
Nëse po, pse nuk po vepron askush? Nëse secili në këtë vend mund të marrë disa roje private, të bllokojë hyrje-daljet, të pengojë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të imponojë vullnetin e tij me forcë, atëherë a jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Rojeve Private?
Çfarë roli kanë rojet private në këtë vend? Si është e mundur që një kompani private të vendosë se kush hyn dhe kush nuk hyn në një kantier, pavarësisht vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe pavarësisht kërkesave të institucioneve shtetërore?
Si është e mundur që një kompani sigurie private të bllokojë fizikisht hyrjen në një aset strategjik kombëtar dhe askush të mos mbajë përgjegjësi? Nëse çdo kompani në Shqipëri mund të marrë disa roje private, të vendosë kamionë në hyrje dhe të shpallë veten mbi ligjin, atëherë:
• Për çfarë na duhen gjykatat?
• Për çfarë na duhen institucionet?
• Për çfarë na duhet shteti?
Sot nuk po diskutojmë më për një konflikt biznesi.
Sot po diskutojmë për ekzistencën e shtetit ligjor. Sot është vënë në pikëpyetje autoriteti i shtetit. Sot shtrohet pyetja themelore: a zbatohen vendimet e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë apo jo? Sepse, nëse një vendim i formës së prerë i Gjykatës mund të bllokohet nga një grup njerëzish me kamionë dhe roje private, atëherë problemi nuk është më Aeroporti i Vlorës.
Problemi është vetë shteti ligjor. Prej muajsh, Mabco po përballet me pengesa të vazhdueshme dhe të papranueshme. Prej javësh po shohim vandalizëm, bllokime, dëmtime të pronës dhe pengim të punimeve. Sot po shohim moszbatim të hapur të ligjit para syve të të gjithëve, si dhe privim të së drejtës për veprim dhe lëvizje.
Ku janë institucionet që duhet t’u japin përgjigje qytetarëve?
Kjo nuk është më një çështje vetëm e Mabco-s apo e 2A-së.
Kjo është një çështje që prek çdo qytetar.
Kush i zbaton ligjet në këtë vend?
Ligjin për shoqëritë tregtare?
Vendimet e Gjykatës së Lartë?
Apo rojet private?.



