
Bill Clinton, i 42-i President i SHBA-ve, do të ecë sot mbi tokën shqiptare për të parën herë ku do të pritet me ceremoni të posaçme zyrtare nga kryeministri i vendit, Edi Rama. Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, të dy do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve. Në orën 19:05 Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë Clinton të marrë çmimin e akorduar. Në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-ve Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit. Clinton citohet më së shumti për një ngjarje themeltare në rezymenë e tij tetë-vjeçare si president: Miratimin dhe realizimin e bombardimeve të forcave të NATO-s në Serbi, me qëllim çlirimin e Kosovës. Ai shërbeu si president në vitet 1993-2001 dhe gjatë mandatit të tij ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-s në Luftën e Kosovës në vitin 1999.



