
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, thotë se presidenti Vuçiç vazhdimisht më thotë se fushatat anti-Kosovë që po bëjmë është tmerrësisht e bezdisshme dhe irrituese për fuqitë e mëdha, sepse për ata kjo është punë e kryer.
Qëllimin që numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën të reduktohet “nën 100”, Daçiç e shpjegon si shifër figurative, por sqaron se qëllimi i ofensivës diplomatike të Serbisë nuk është që të arrihet te një numër i caktuar, por, siç thotë ai, të tregojë se procesi i pavarësisë së Kosovës nuk është i përfunduar dhe se mund të shkojë në drejtimin tjetër.
“Në Kombet e Bashkuara janë 193 anëtarë, dhe numri duhet të arrihet nën gjysmën e atij numri. Presidenti Vuçiç vazhdimisht më thotë se kjo që po bëjmë është tmerrësisht e bezdisshme dhe irrituese për fuqitë e mëdha, sepse për ata kjo është punë e kryer. Mirëpo, për ne nuk është e përfunduar, prandaj po punojmë në atë drejtim”, shpjegon Daçiç.
Shefi i diplomacisë serbe thotë se nuk do të jetë një betejë e lehtë, sepse ne punojmë vetëm, kurse Prishtina ka mbështetjen e fuqive të mëdha.
Por nga ana tjetër Daçiç, thekson zgjidhja për çështjen e Kosovës mund të arrihet vetëm me kompromis, “por bindja se Serbia me forcë do të mund të detyrohet ta pranojë Kosovën, këtë zgjidhje e bën më të largët”.
I pyetur nëse Serbia, pas mbrojtjes në UNESCO, ka diplomaci të përgatitur që të përballet edhe me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili po zhvillohet në rrethana gjithnjë e më vështira, Daçiç tha se, ministria e drejtuar nga ai i ofron mbështetje logjistike presidentit Vuçiç, duke shtuar se “për herë të parë në historinë e Serbisë po zhvillohet një betejë e organizuar diplomatike”.



