
Ukraina i vendos ultimatum Rusisë! Nëse brenda 48 orësh, Moska nuk do të japë shpjegime të detajuara të natyrës së stërvitjeve ushtarake në kufi, Kievi do t’i drejtohet vendeve të OSBE, për të thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme.
“I kërkuam Rusisë që të japë shpjegime të detajuara lidhur me aktivitetin e saj ushtarake në zonat pranë territorit tonë”, shkroi në Twitter, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitro Kuleba.
Sipas tij, bazuar në dokumentin e Vjenës, Rusia e ka për detyrë që të japë shpjegime të detajuara lidhur me objektivin dhe datën kur do të përfundojnë stërvitjet. Kuleba thotë se Rusia ka 48 orë kohë që të përgjigjet.
Në të kundërt, ministri shprehet në qëndrimin e tij, se Ukraina do t’i drejtohet vendeve firmëtare të dokumentit të Vjenës, që të thërrasin një mbledhje të jashtëzakonshme, ku Rusia do të duhet që të japë shpjegime.
Kryediplomati ukrainas shtoi më tej se do të vazhdojnë që të përdorin të gjithë instrumentet diplomatike, për të garantuar sigurinë e Ukrainës.



