
Teksa lajmëroi çeljen e garës për projekt-idenë e ndërtesës së re të bashkisë që do të ngrihet në bulevardin e ri të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se nuk do i nënshtrohet presionit të ndërtuesve për të ngritur objekte me të larta sesa lejon ligji në dy krahët e bulevardit të ri.
“Nëse nuk animohet me jetë dhe nëse nuk fillon interesi I biznesit të gravitojë, atëherë as do të kemi mundësi të paguajmë kredinë me të cilën është bërë ky boulevard. Sigurisht, Shqipëria dhe Tirana është vendi i gjobave të mëdha, këtu të gjithë duan nga 30 kate, por do marrin aq sa është plani. Kështu që, mund të bëjnë çfarë të duan me TV e tyre, por jo tek unë gjobë dhe jo te Bashkia e Tiranës gjobë sa të jem unë. Sa është plani, aq do të marrin. Megjithatë këto janë sporte me të cilat merrem unë.”
Më tej, Veliaj u ndal te një tjetër projekt, ai për teatrin e ri, duke thënë se procedurat e prishjes do të bëhen publike së shpejti.
“Jam shumë i vendosur që të vazhdojmë me Teatrin e Ri. Për të gjithë ata që thonë “kur do prishet, kur do prishet”, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të ketë shkuar në Parlament kontrata e re, të jepet leja për teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në rajon dhe besoj në të gjithë Europën Juglindore. Tirana e meriton që në 100 vitet e ardhshme të mos shkojë në teatër me batanije dhe të rrethohet nga mbetjet e kashtës dhe të shkrepëseve të Milanos fashiste.”
Veliaj tha se së shpejti do të hapet konkursi edhe për qendrat e reja të qytetit që do të shërbejnë si pole të zhvillimit, si Kombinati apo Kinostudio.



