
Zëri i Amerikës publikoi dje disa përgjime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që u bënë shkak për arrestimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko.
Në bazë të përgjimeve rezulton se punësimet në burgje bëheshin me urdhra dhe ndërhyrje të zyrtarëve të PS-së. Fjala është për konkurset publike, për të cilat nga përgjimet del se punësimet bëheshin me ndërhyrjen e zyrtarëve lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.
“Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze. Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë. “Fola me zonjën Bizhga para gjysmë orë dhe i thashë se u fut Vitjona në punë,” citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur. Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes një duzine përgjimesh dhe mesazhesh të shkëmbyera tregojnë se telefonata të ngjashme mbi punësimet apo transferimet e punonjësve në sistemin e burgjeve ishin pjesë e rutinës së përditshme të punës së ish-drejtorit Arben Çuko”, shkruan Zëri i Amerikës.
Rama: Zëri i Amerikës flet nga kazani i Tiranës
Pas publikimit të përgjimeve, kryeministri Edi Rama reagoi me një postim në rrjetet sociale. Rama shprehet se Zëri i Amerikës flet nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi llogje telefonike.
“Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie!”, shkruan Rama.



