Misionar, mësues, pedagog, jurist, enciklopedist, publicist, humanist, drejtor, ministër dhe reformator i arsimit shqip, Mirash Ivanaj është një ndër figurat më me ndikim dhe shumëplanëshe në historinë e vendit tonë. 12 marsi shënoi 129-vjetorin e lindjes së këtij personaliteti të arsimit dhe shkollës sonë kombëtare, për të cilin, pavarësisht se është folur, ka ende shumë për të thënë.
Drita Ivanaj, mbesa e Mirash Ivanaj dhe vajza e Martin Ivanaj, një tjetër figurë e njohur intelektuale në Shqipërinë e atyre viteve, është e vetmja trashëgimtare e familjes, e cila ka ndërtuar dhe udhëheq tashmë prej shumë vitesh fondacionin “Martin e Mirash Ivanaj”.
Në një bisedë për TvT, ajo rrëfen më tepër për historinë e familjes dhe figurën e xhaxhait të saj, si dhe disa prej objekteve që ruan në fondacionin muze Ivanaj.
-Znj. Ivanaj, ju njiheni si mbesa e Mirash Ivanaj dhe vajza e Martin Ivanaj. Ju prej kohësh drejtoni fondacionin Ivanaj. Çfarë mund të thoni për punën me këtë fondacion, por edhe për historinë e familjes suaj?
Së pari, jam e vetmja e mbetur nga familja Ivanaj, e vetmja që ka kujtime përgjatë 80 viteve. Mund të kujtoj shumë gjëra nga jeta në Shqipëri dhe ekspertizë të jetës këtu, për shkak të asaj që kam krijuar. Isha shumë e vogël kur ika nga Shqipëria, vetëm pesë vjeç e gjysmë. Në prill të 1939-ës, Tirana dhe Shqipëria ndodheshin nën pushtimin italian dhe mund të kujtoj babanë dhe xhaxhanë tim, që lanë shtëpinë atë mëngjes prilli, për të mos u kthyer më kurrë, kështu që nuk i pashë më në jetën time.
Nëna ime dhe unë qëndronim në rezidencë, pikërisht këtu ku sot është ngritur fondacioni “Ivanaj”. Por u larguam, sepse shtëpia ime në atë kohë u bë gjykata e përgjitshme e ushtrisë italiane.
Në atë kohë, Tirana ishte një qytet i boshatisur. Të gjithë e kishin lënë vendin, ashtu si im atë dhe xhaxhai im, të cilët përfunduan në Stamboll, ku babai im fatkeqësisht nuk u ndie mirë dhe u shtrua në spital, ku shpenzoi 14 muaj dhe nuk doli kurrë prej andej, derisa vdiq nga shkaqe natyrale.
Xhaxhai im, Mirashi mbeti në Stamboll edhe për gjashtë vjet të tjerë, deri në fund të luftës në Shqipëri, në 1945, kur mori fund pushtimi gjerman dhe ai fashist dhe u kthye në Shqipëri në shtator 1945.
Ai u kthye në shtëpinë tonë, e cila ishte zënë nga shumë familje të tjera në atë kohë.
Ai nuk ishte në gjendje të jetojë atje për shumë kohë, sepse drejtuesi i pushtetit të asaj kohe, Enver Hoxha, i cili kishte qenë student kur xhaxhai im kishte qenë ministër arsimi i dha atij një vend pune si mësues në shkollë, gjë të cilën ai ka dashur ta bëjë gjatë gjithë jetës së tij, por u arrestua një natë. Pas kësaj, historia është shumë e gjatë, por përfundoi me futjen e tij në burg për shtatë vjet, vend prej të cilit nuk doli kurrë. Ai vdiq 12 ditë përpara se dënimi i tij të përfundonte. Unë u ktheva në vend më tepër se gjysmë shekulli më pas. U ktheva në vitin 1993. Nga koha kur ika derisa u ktheva, e shpenzova kohën time së shumti, së pari në Itali, për 12 vjet dhe më pas në SHBA.
Nëna ime ishte me origjinë nga Italia dhe vendi ku mund të shkoja kur ikëm që këtu ishte Italia, sepse kisha gjyshërit e mi atje. Gjyshërit nga ana e babait kishin vdekur që herët, kështu që edhe babai im, edhe xhaxhai, në kohën që studionin në botë, edhe punonin. Ata erdhën nga Malësia e Madhe, Tuzi dhe në atë kohë nuk kishte shkolla të larta afër tyre. Kështu që fillimisht studiuan në Beograd për gjimnazin dhe më pas u zhvendosën në Romë, atje ku është sot Universiteti “La Sapienza” në Romë. Në atë kohë quhej Regia Università di Roma dhe të dy u diplomuan atje në vitet 1921, 1923.
Për sa kohë kam qenë e vetëdijshme dhe e rritur, gjithë ato çfarë di në lidhje me këtë periudhë i di nga nëna ime, e cila ishte një vajzë italiane, që u martua me një shqiptar.
Ata u takuan në Romë dhe unë linda një vit më vonë.
Ne jetuam në Tiranë vetëm për pak vjet dhe nëna ime u bë vejushë në moshë të re. Ajo kurrë nuk u rimartua dhe mbajti kombësinë shqiptare. Dhe duke bërë këtë, vite më vonë, pa e ditur, kjo na lejoi të emigronim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte shumë mundësi që prezantoheshin para nesh, sepse u regjistruam si refugjatë nga Kombet e Bashkuara, të cilët në atë kohë kishin një zyrë, “International Refugee Organization”. Kjo pjesë e veçantë e Kombeve të Bashkuara lëvizte dhe rilokonte njerëz nga Lufta e Dytë Botërore, duke përfshirë edhe Italinë. Në Itali, në atë kohë ishin shumë kampe, ku kishte edhe shqiptarë dhe kombësi të tjera. Duhej të bëja një zgjedhje në atë kohë: Ne kishim një vizë, që na lejonte të jetonim përherë në Itali nëse donim, por isha unë që ndikova edhe nënën time të emigronim, gjë që ishte sakrificë e madhe për të. Në atë kohë isha adoleshente dhe mendova që do të kisha mundësi më të mëdha, si shumë të rinj sot në Shqipëri. Nuk isha në vendim tim, por zgjodha SHBA, sepse kisha disa zgjedhje. Mund të kisha zgjedhur edhe Suedinë apo Australinë, por vendi më modern ishte padyshim SHBA. Kështu që shkova dhe shpenzova pjesën më të madhe të jetës atje, derisa dola në pension. Kjo ishte edhe koha kur Shqipëria u hap pas 45 vitesh izolimi në komunizëm dhe diktaturë. Nuk e kisha menduar asnjëherë se do të isha në gjendje të kthehesha, por kur pashë hapjen e vendit mendova se ishte koha të kthehesha. Që nga viti 1993 jam gjithmonë e pranishme dhe jetoj mes Shqipërisë dhe SHBA, duke bërë atë që bëj sot, që është së pari të krijoj këtë institucion, që korrespondon me atë që kam në Nju Jork dhe që është në emër të babait tim, Martin dhe në emër të xhaxhait, Mirash.
Ajo që më habiti kur u ktheva në ’93-in ishte se njerëzit kujtonin shumë mirë gjeneratat e mëparshme, kjo sepse ata kishin dedikuar jetën e tyre për Shqipërinë, që kur ishin të rinj.
-Sa në kontakt keni qenë me Shqipërinë dhe shqiptarët, duke qenë se ju u larguat shumë herët nga Shqipëria? A mund të kuptoni dhe flisni ndopak në gjuhën shqipe?
Që nga koha që ika që këtu, së pari isha në Itali, ku vazhdova studimet e mia. Nuk isha e përfshirë në komunitetin shqiptar, sepse kisha fatin të kisha një çati mbi krye bashkë me nënën time dhe gjyshërit. Unë isha në veri të Italisë dhe nuk kishte as prani të arbëreshve, të cilët janë shumë prezentë edhe sot në jug të Italisë. Pastaj emigrova me nënën në SHBA, ku u vendosëm kryesisht në Manhattan, NYC, ku nuk kishte komunitet shqiptar në atë kohë. Tani ka komunitet shqiptar në Bronx dhe hapësira të tjera të qytetit, por nuk isha kurrë e përfshirë në komunitetet shqiptare, kështu që fatkeqësisht e humba gjuhën shqipe, që dija deri në moshën pesë vjeçare. Më vjen shumë keq për këtë, por sot, në Shqipëri nuk kam problem të shpreh veten, ku ka shumë të rinj shqiptarë, të cilët flasin lirshëm anglisht dhe në gjuhë të huaja.
-Në ç’mënyrë komunikonit me babanë dhe xhaxhain tuaj pas largimit të tyre në Stamboll?
Së pari, nëna ime dhe unë ishim në kontakt nga Italia në Stamboll dhe nëna ime bëri një udhëtim mbrapsht. Më la mua në Itali për disa muaj, për t’u kthyer në Tiranë e për të parë çfarë mund të bënte për pronën, e cila në atë kohë ishte e papërdorshme për shkak të luftës. Në të njëjtën kohë, babai dhe xhaxhai im ndodheshin në Stamboll, ku xhaxhai mbështeste babain në spital. Ata kishin një komunitet shqiptar, të cilin e takova vite më vonë në 1975. Unë munda të vizitoj vendet, ku xhaxhai im jetoi. Takova disa shqiptarë atje, miq të vjetër të xhaxhait tim në atë kohë dhe gjeta gjithashtu disa dokumente, që xhaxhai im la kur u kthye në Shqipëri. Ai la dy pako në emrin tim, që i gjeta 30 vjet më vonë, thuajse në të njëjtën ditë kur ai la vendin.
-Ruani shumë dokumente apo sende të kësaj natyre? Çfarë tregohet në këto dokumente?
Këto dokumente konsistojnë në shumë gjëra. Së pari, përmbajnë pashaportat e xhaxhait përmes të cilave arrita të shoh se ku ka udhëtuar dhe kur, në atë kohë që ishte nëpër botë. Mes tyre ka shumë udhëtime, përfshirë udhëtime në Jeruzalem, për të ndihmuar shqiptarë të tjerë në atë kohë, sepse në atë kohë nuk kishte telefona, as kompjutera, por letra.
-Ruani letërkëmbime të kësaj natyre? Mund të rrëfeni një pjesë të tyre?
Në atë kohë njerëzit shkruanin dhe unë kam shumë letra. Por komunikimi dhe letrat përndiqeshin nga autoritetet e kohës, të cilët i hapnin këto letra, kështu që askush nuk shkruante çfarë ndiente në të vërtetë. Edhe gjatë kohës kur xhaxhai ishte i burgosur këtu në Tiranë, ai lejohej të na shkruante ne, mua dhe nënës, që në atë kohë ishim në Itali, një letër në muaj. Ai na shkruante çdo muaj dhe unë i kam gjithë këto letra, që do të bëhen pjesë e fondacionit këtu. Janë letra private, të cilat për momentin dua t’i ruaj për vete. Kam edhe letrat, që babai im i dërgonte nënës kur u takuan në Romë. Kam shumë gjëra që në kuptimin historik mbase mund të mos kenë interes për të tjerët, por për mua kanë shumë vlerë. Duke lexuar shumë nga këto gjëra sot, do të kuptoni se si njerëzit jetuan dhe ndjenë gjatë atyre ditëve, edhe gjatë kohëve të vështira.
Mënyrat e komunikimit kanë ndryshuar shumë tani dhe ne e shprehim veten në mënyra të ndryshme, disa herë në mënyrë shumë më të sipërfaqshme se në të shkuarën. Por kur lexon këto letra, ka ndjenja dhe sentimente që janë të qarta, të prekshme, të thella.
-Një pjesë e rëndësishme e fondacionit Ivanaj, ku ndodhemi është arkiva. Çfarë ruhet në këtë arkivë?
Ne kemi zonën arkivore në këtë kat dhe një staf që merret me mirëmbajtjen e tyre. Unë kam akoma dokumente për të sjellë, dokumente që kam në Nju Jork. Ky vend është relativisht i ri. Erdha në vitin 1993 dhe është mbajtur nga njerëzit e mrekullueshëm këtu në kushte të vështira, sepse Tirana e vitit 1993 nuk ishte Tirana e ditëve të sotme.
-Po për Tiranën e viteve të fëmijërisë suaj çfarë mund të thoni? Si e kujtoni xhaxhanë dhe babanë tuaj në ato vite?
Kur isha fëmijë, në Tiranë jetonin rreth 30 mijë njerëz dhe nuk ishin ato shtëpi që janë sot. Tirana e Re ku jemi kishte vetëm tre vila në atë kohë, kështu që babai im shkoi në zyrën e tij që ekziston akoma në fillim të bulevardit, ku është tani Ministria e Mbrojtjes.
Xhaxhai im, Mirashi ishte ministër i Komunikimit dhe kishte zyrën atje ku sot është Bashkia e Tiranës. Ata vinin në shtëpi për drekë dhe ktheheshin në punë mbasdite. Ishte një zonë shumë e qetë në atë kohë, një Tiranë e ndryshme.
-Për Tiranën e viteve ’30-të flet përmes ditarit të tij edhe xhaxhai juaj… Mund të na rrëfeni për këto shënime, për ditarin e tij?
Një nga gjërat që xhaxhai la në pakot e famshme në Stamboll ishte dhe një ditar. Ditari konsistonte në 24 orët e fundit të prillit të vitit 1939, kur babai dhe xhaxhai im lanë Tiranën.
Aty ka një rrëfim të detajuar të asaj dite dhe ky material që ishte i panjohur për mua dhe që e gjeta 30 vjet më vonë është keqpërdorur nga njerëz të tjerë kur patën akses në të, në kohën kur xhaxhai im u arrestua dhe morën kopje të ditarit, që u vendos në duar të gabuara.
Ditari u përdor nga njerëz këtu për arsye të tyret politike, jo të miat apo ndokujt tjetër nga familja dhe u përdor pa lejen time, ndryshe nga çfarë është thënë shumë qartë në dorëshkrimin e ditarit nga xhaxhai im.
Në këtë ditar është historia e kohës, si ata u ndjenë dhe si vepruan mes asaj që po ndodhte në vend, sepse nuk patën asnjë reagim nga forcat militare, kur italianët zbarkuan në Durrës. Njerëzit ishin në mes të sheshit Skënderbej pa e ditur çfarë po ndodhte, kush po luftonte, çfarë po ndodhte. Tirana ishte një zonë shumë kaotike në atë kohë.
Ai dorëshkrim është prona ime bashkë me disa shënime dhe teza të tim eti. Fatkeqësisht nuk jam në gjendje të gjej një tezë të tim eti. Kam edhe dy diplomat e cxhahxhit: një në filozofi në vitin 1921 dhe një tjetër në jurispudencë, ashtu si im atë.
Për të parën, xhaxhai im kishte shumë merak, por fatkeqësisht nuk pati asnjë kopje të saj, sepse ishte një temë shumë e pazakontë. Kishte të bënte me studimin e origjinës së gjuhës shqipe.
Ndërsa isha shumë me fat që para 20 vitesh gjeta në Romë një kopje të diplomës së babait tim në jurispudencë. Fatkeqësisht “La Sapienza” nuk mban kopje të të gjithë këtyre diplomave, por unë arrita ta gjej. Ishte gjithashtu një temë interesante, që kishte të bënte me fiset antike të humbura në Shqipërinë e Veriut. Kam për qëllim ta botoj një ditë. Shumica e punës është në italisht, sepse ishte një universitet italian. Do të jetë një përkthim, gjë që nuk është e lehtë, sepse është shkruar në italishten e kohës, por është diçka, që mbase për fat të mirë do ta botojmë në të ardhmen.
-Ç’mund të thoni më tepër për punën e babait dhe xhaxhait tuaj dhe figurat e tyre?
Një pjesë e punës së tim eti nuk është aq e mirënjohur sa ajo e xhaxhait tim. Xhaxhai im ishte drejtor i gjimnazit në Shkodër, më pas mësues në shkollë dhe ministër arsimi, që krijoi shkollat e para publike në Shqipëri në vitet ’30-të. Ai ishte figurë publike për shkak të kësaj dhe çështjes kontroversiale, që krijoi duke bërë diçka të tillë, sepse në atë kohë kishte vetëm shkolla private.
Babai im ishte avokat, më pas gjykatës dhe u bë kryetari i kasacionit. Sot kam të dhëna dhe dokumente lidhur me të falë miqve të mirë në Shqipëri, miqve të moshës sime, të cilët kanë kërkuar në librari dhe arkiva, kanë grumbulluar qindra dokumente, që dokumentojnë punën e babait tim si gjykatës dhe që mund të jenë shumë të dobishme në të ardhmen, për studentët e drejtësisë në Shqipëri.
Ata mund të përdorin disa referenca të së shkuarës në studimet e tyre, për t’i ndihmuar të kuptojnë çfarë gjërash kanë ndodhur dhe si.
Kjo ishte dhe arsyeja se pse unë erdha këtu, duke u përpjekur të merrja mbrapsht pronën time. Më hodhën në gjyq disa herë, për shkak se nuk ishte kohë e mirë dhe nuk kishte njerëz të mirë për të marrë mbrapsht pronën time.
Këmbëngula dhe e mora mbrapsht, por shkova përmes ferrit, megjithatë dëshiroja që këtë institucion ta bëja këtu, ku u rrita dhe ku babai dhe xhaxhai im kishin pronat dhe jam me fat ta kem, sepse ka shumë shqiptarë që sot nuk kanë pronat e tyre. Doja të bëja këtë që po bëj, jo për përfitim, pavarësisht se më janë ofruar para, pasi është diçka në emër të babait dhe xhaxhait.
-Emri i xhaxhait tuaj, Mirash Ivanaj lidhet me reformën në arsim, me atë që njihet ndryshe edhe si “reforma Ivanaj”. Ç’mund të thoni për këtë reformë dhe raportet e tij me mbretin Zog?
Xhaxhai im, së pari ishte një person, që ashtu si pjesa tjetër e familjes sime, besonte në atë që duhet të bëjmë në mënyrë të drejtë në jetën tonë, kështu që ai e ndjeu fuqishëm atë që bëri.
Kur u ktheva këtu në vitin 1993 takova njerëz që më thoshin: Xhaxhai jot ishte këtu gjatë monarkisë, duhet të ketë qenë monarkist, gjë që është totalisht e gabuar.
Mund ta them me bindje, edhe sepse kam takuar njerëz që e kanë njohur atë dhe më kanë treguar kur erdha këtu në ’93-in dhe më pas, të cilët ishin të pranishëm kur atij iu ofrua të bëhej ministër i arsimit, një punë e re për Shqipërinë e atyre viteve. Dhe këtë gjë e bëri mbreti Zog. Mbreti Zog e thirri xhaxhain në atë kohë dhe i tha: E di, që ju nuk jeni dakord me mënyrën time të të qeverisurit, por sot jeni i vetmi, që mund të veproni në postin e minstrit të arsimit, kështu që po të emëroj.
Kështu u bë ministër edukimi dhe më pas u dorëhoq. Ai krijoi sistemin e shkollave publike, duke krijuar standarde për të gjithë dhe ishte i bindur, që këto standarde duhet të aplikoheshin në çdo shkollë, edhe në ato private. Por shkollat private nuk ishin dakord me diçka të tillë, kështu që u krijuan probleme dhe ai u dorëhoq. Në atë moment mbreti Zog e emëroi drejtues të Këshillit të Shtetit. Babai im ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Shtetit.
-Xhaxhai juaj u bë pjesë e sistemit arsimor edhe gjatë kohës së regjimit komunist. Çfarë mund të thoni për raportet e tij me Enver Hoxhën?
Kur ai u kthye, gjatë kohës si ministër, nuk kishte arsim të lartë dhe universitete në Shqipëri, kështu që studentët dërgoheshin jashtë shtetit për të studiuar. Një prej këtyre studentëve ishte edhe Enver Hoxha. Studimet e tij në Francë paguheshin nga qeveria e asaj kohe. Kur babai dhe xhaxhai zbuloi se Enver Hoxha nuk po i shpenzonte paratë për të studiuar, por për të kaluar kohë të bukura në Paris, ia prenë bursën. Në fund të luftës, kur Enver Hoxha ishte në krye të Partisë Komuniste, ai e ktheu në Shqipëri xhaxhanë tim. Nuk e di çfarë i thanë njëri-tjetrit, por di që Hoxha i kishte ofruar të ndihmonte në qeveri, por xhaxhai i tha se ishte i interesuar të jepte mësim.
Më vonë ai u dënua me shtatë vjet burg si bashkëpunëtor i SHBA, kjo për shkak të lidhjeve që kishte pasur kur ishte në Stamboll.
Edhe shumë pak kohë më parë, dikush shkroi diçka për xhaxhain tim në rrjetet sociale, gjë, e cila në fakt ishte e njohur për mua, por gjithashtu ishte e botuar edhe nga njerëz të tjerë, për momentin e dënimit të tij: Kur ishte dënuar nga gjyqtari, ai nuk reagoi. Xhaxhai ishte në process gjyqësor me dy njerëz të tjerë, njërin prej të cilëve e takova kur erdha në vitin 1993.
Ky person, që quhej Llambi Llambini, më tregoi dhe ka shkruar një artikull në 1991 për këtë histori.
Ai më tha se kur gjykatësi e dënoi xhaxhanë me shtatë vjet burg, ai nuk reagoi. Dhe kur gjykatësi i tha: E kuptove çfarë të thashë?!, përgjigja e tij ishte: “A ka ligj që nuk më lejon të mendoj?” Dhe ai i tha: Mbylle. Je i dënuar me burg!
Xhaxhai im ishte poliglot. Ai fliste dhe përdorte 12 gjuhë. Ai mësoi dhe përdorte edhe rusisht për të përkthyer në ato vite. Kam disa letra, që ai shkëmbente me nënën time dhe mua, ku thoshte: mos u shqetësoni për mua. Jam mirë. Po merrem me përkthime. Sepse në burg ai merrej me këtë gjë.
-Po për jetën personale të xhaxhait çfarë mund të thoni? Ai përjetoi një histori të pafat dashurie…
Ai donte të martohej me një grua italiane nga Roma, por ajo nuk jetoi gjatë dhe vdiq për shkaqe natyrale në moshë të re. Ai nuk u martua kurrë dhe ruajti një gërshet nga flokët e saj dhe ky gërshet është sot në duart e mia.
-Mund të na tregoni çfarë ruani tjetër në këtë ndërtesë, që dikur ka qenë shtëpia juaj?
Ky është flamuri i familjes Ivanaj dhe mund ta shihni ashtu siç ka qenë në vitet ’30. Është ruajtur nga nëna ime. Ka udhëtuar në tre shtete të ndryshme, ashtu si unë: në Itali, SHBA dhe u kthye sërish këtu.
Këto janë kopje të dekorimeve gjatë kohës së mbretit Zog dhe më parë, për babain dhe xhaxhain tim. Këtu janë edhe prindërit e mi në Itali. Diploma gjatë studimeve në Itali. Pena e babait im, çibuku i xhaxhait.
Këto janë dekoratat e dhëna vetëm për xhaxhain tim. E vetmja që iu dha kur ishte gjallë ishte Urdhi Skënderbeg.
Këtu është shtëpia që ka qenë përpara se të ndërtohej kjo ndërtesë.
Kjo është libraria që ka qenë në shtëpi. Nuk ka pasur librari publike në atë kohë në Tiranë. Libraria jonë ishte libraria private më e madhe, me 16 100 kopje librash. Këtu janë babai, xhaxhai dhe nëna ime. Mund të shihni dhe xhaxhanë Mirash kur ishte drejtor në gjimnazin e Shkodrës.
Kjo është një nga lodrat e mia kur isha e vogël. Të tjerat janë disa certifikata që kam marrë gjatë studimeve të mia në Amerikë. Kjo është një foto që e kam bërë kur vizitova për herë të parë Malin e Zi, prej nga vjen babai dhe xhaxhai im. Ndërsa kjo jam unë, me xhaxhanë tim, i cili më adhuronte.
-Së fundi, çfarë mund të thoni për punën dhe qëllimin e fondacionit Ivanaj?
Fondacioni im është edukativ dhe kulturor në emër të babait dhe xhaxhait tim dhe mbi të gjitha kulturor, sepse mendoj se kemi një të shkuar me vlera dhe kjo e shkuar nuk duhet harruar. Dhe këtu nuk flas vetëm për familjen time, por për shqiptarët në përgjithësi.
Në të shkuarën, Shqipëria ka qenë e izoluar gjatë periudhës komuniste, por edhe për atë periudhë duhet të flitet sot në shkolla, sepse është pjesë e historisë së vendit.
Fëmijët dhe të rinjtë duhet të kuptojnë se çfarë po ndodh, duhet të informohen më tepër për të shkuarën, sepse pa të shkuarën, nuk mund të ndërtoni të ardhmen.
Në fondacion kemi disa projekte, disa prej tyre të bërë prej nesh, disa të tjerë prej organizatave jo qeveritare dhe insitucioneve të tjerë, disa prej fondeve europiane, etj., në mënyrë që të edukojnë rininë e Shqipërisë, e cila ka mundësi të mrekullueshme dhe nuk iu mungon asgjë, që vendet e tjera e kanë. Të rinjtë shqiptarë janë kreativë, kanë ide, janë multilingualë. E gjitha çfarë kanë nevojë është të mësojnë të aplikojnë kreativitetin e tyre, si të drejtojnë në mënyrën e duhur, kështu që mund të krijojnë një të ardhme direkte dhe më të mirë për vendin e tyre dhe ata munden.
Dua të shoh të ardhmen e Shqipërisë këtu, të krijuar nga shqiptarët, ndërkohë që rriten në vendin e tyre dhe jo Shqipërinë që humb popullsinë e saj, sepse të gjithë shqiptarët duan të ikin. Mund të bëjmë trajnime shtesë, edukimi por edhe qendra inkubatori biznesi dhe të bëhemi partnerë, për të bërë para, jo për përfitim, por për të mbajtur këtë insitucion dhe të krijojmë një fond që të mbajmë edhe njerëzit e tjerë në të njëjtën mënyrë. Ky është një fond i qëndrueshëm i institucionit, sepse përtej modestisë, ky vend është unik në Shqipëri, sepse nuk varet nga askush tjetër. Ky institucion është krijuar nga unë me gjithçka kam në pronësinë time. Dhe dua që ky insitucion të mbahet edhe pasi unë të mos jem më.
Jam e vendosur, ashtu siç kanë qenë babai dhe xhaxhai im, pa frikë për të punuar dhe besoj kam mësuar edhe nga nëna ime, e cila më rriti në mungesë të babait dhe xhaxhait dhe çfarë di për ta është falë saj. Vij nga një familje, që jo vetëm i dedikoi jetën vendit, por që besonte se nëse do vërtet diçka dhe beson, atëherë mund të bëhet.
Bisedoi: Blerina Goce



