Gentian Trenova, ish-prokuror i Krimeve të Rënda deklaroi në studion e lajmeve në MCN Tv se procesi i vettingut ka qenë i dështuar dhe që në fillimet e saj nisi me një gabim tek komisionet e zgjedhura.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Trenova tha se institucionet shqiptare nuk janë shprehur ende në lidhje me vendimin e Gjykatës së Strasburgut për Shkëlqim Canin dhe Antoneta Sevdarin megjithëse e kanë si detyrim.
Sipas Trenovës vendimet e marra nga trupa gjykuese ku anëtar ka qenë Luan Daci duhet të konsiderohen të pavlefshme dhe duhet të hyjnë në proces rivlerësimi.
Mendoj se procesi i vettingut është i dështuar. Që në fillimet e saj nisi me një gabim të madh tek komisionet që janë zgjedhur. Një pjesë janë zgjedhur në kundërshtim me ligjin, nuk plotësojnë kriteret, kanë marrë personazhe që nuk e dinë si funksionin sistemi gjyqësor dhe nuk kanë pasur aftësinë profesionale për të vlerësuar. Apo për të ndarë si është një punë profesionale dhe jo profesionale. Një pjesë e tyre nuk kanë pasur aftësinë për të vlerësuar nivelin pasuror dhe kanë pasur defekte në të konceptuarin e koncepteve juridike.
Sikur të marrësh veterinerët dhe të bëjnë kontrollet e kirurgut. Kanë punuar punë të tjera që nuk ka të bëjë me sistemin e drejtësisë.
Mendoj se nuk ishte problem numri i gjyqtarëve që ishte atë kohë. Kishte një plan pune. Nëse kishte shumë në një periudhe kohe KLGJ nuk parashikonte futjen e gjyqtarëve të tjerë, planifikohej sa do të dilnin në pension, ishte e llogaritur dhe në bazë të numrit të çështjeve. Po të shohim me largimin e gjyqtarëve kemi mungesë të stafit në prokurori dhe gjykatë dhe kjo ka bërë që të ketë volum të madh që për shkak të numrit humbet cilësia dhe koha për të gjykuar dhe njerëzit presin në dyert e gjykatës.
Vendimet e Gjykatës së Strasburgut janë deklarative, por për sistemin tonë të brendshëm në Kushtetutë thuhet se janë të detyrueshme dhe duhet të njihen. Në rastin e Canit dhe Sevdarit akoma institucionet shqiptare nuk janë shprehur dhe pse kanë detyrimet të rregullojnë paligjshmëri. Ka një afat 3-mujor nga koha kur vendimi merr formën e prerë. Institucionet duhet të shprehen brenda 3 muajve për të rregulluar të drejtën e shkelur ndryshe Gjykata e merr në rishqyrtim dhe dënon shtetin shqiptar me gjobë. Cani i është drejtuar KLP-së është e drejta e tij t'i drejtohet dhe institucioni ka të drejtë të shprehet për këtë kërkesë. I është drejtuar një institucioni por akoma nuk ka një vendim. Kodi i procedurës civile dhe ligjet e tjera nuk e parashikojnë qartë si duhet të veprojnë institucionet për këtë raste. Ose Parlamenti duhet të mblidhet të ndryshojë ligjin dhe të përshatë legjislacionin me atë që ka deklaruar Gjykata e Strasburgut ose vetë institucionet ta marrin nën shqyrtim pavarësisht se mund të ketë vakum.
Institucionet shqiptare që nga momenti që Gjykata e Strasburgut është shprehur për Luan Dacin, që d.m.th. ky persona s’ka plotësuar kriteret ligjore për të qenë në KPA , duhet që vendimet ku ka qenë anëtar duhet të konsiderohen të pavlefshme dhe duhet të hyjnë në proces rivlerësimi me gjyqtarë të tjerë. Ky është riparimi i shkeljes së ligjit. Nuk e parashikon ligji, por nëse është e konstatuar institucionet shqiptare duhet ta bëjnë vetë. Duhet t’i konstatojnë vetë këto vendime.
ONM ka luajtur rol negativ në fillim të procesit ka bërë shantazh ndaj institucioneve për të nxituar në mbushjen e KPK dhe KPA me anëtarë që nuk plotësonin kriteret. ONM ka pasur rol negativ duke bërë presion.



