Pasqyrë moj pasqyrë, kush është më e bukura në botë? Fraza e famshme e filmit “Borëbardha” ndoshta duhet ndryshuar në “Si mund të bëhem më e bukura në botë?”. Kjo falë teknologjisë elektronike që ka hyrë edhe në produktet e bukurisë femërore.
“HiMirror” është produkti më i ri në këtë fushë. Ajo është një pasqyrë inteligjente. Pas një fotoje të thjeshtë, kjo lloj pasqyre mund të të përcaktojë tipin e lëkurës dhe dëmet që i janë shkaktuar, madje mund të të sugjerojë produkte për të zgjidhur problemet e evidentuara.
Pajisja që kushton 259 dollarë funksionon së bashku me “HiSkin”, një pajisje tjetër, që pasi vendoset në lëkurë, i bën asaj një analizë të thelluar.
Këto dy pajisje së bashku japin informacionin që më parë duhej të shkoje te dermatologu për ta marrë.
Teknologjia ka një zgjidhje edhe pë rata që i kanë humbur flokët. Një “iGrow” në këtë rast bën punë. Ajo është një kaskë e aprovuar nga FDA-ja amerikane dhe që funksionon si terapi me dritë.
Ndërsa “Hairmax LaserBand” ofron një fashë prej 41 lazerash të vegjël që bën të mundur rritjen e 129 fijeve flokësh në një hapësirë prej 6 cm2.
Për femrat, “iDerma” është një lloj maske me dritë LED, që stimulon prodhimin e kolagjenit, lufton aknet dhe ngadalëson plakjen.



