Një i burgosur shqiptar që vuan dënimin në burgun e Larisës në Greqi kërkon t’i jepet mundësia për të ndjekur shkollën. Adem Rusi është një nga studentët e shkollës për të burgosurit “Shansi i dytë” në Larisa. Rusi i ka dërguar një letër drejtorit të burgut, në të cilën i shpjegon se sa rëndësi ka shkolla për të. Pak kohë më parë, ai e kishte të vështirë të fliste greqishten, por tani është në përfundim të vitit të dytë të studimeve në burg, një program shkollimi që përfundon aty.
Në letër, Ademi shprehet se shkolla është gjëja më e rëndësishme në jetën e tij.
"Ju lutem, ju që jeni në gjendje, të na ndihmoni për të ecur përpara, që të përmirësojmë mënyrën tonë të të menduarit dhe t’i shohim gjërat në aspekte të tjera. Unë personalisht dua të vazhdoj shkollën. Unë do të bëjë gjithçka të mundshme për të vazhduar studimet. Shkolla është e vetmja shpresë për mua ", thotë ndër të tjera në letër Adem Rusi.



