
Psikologe Edlira Dyrmishaj, për vrasjen e Mahsa Aminit nga policia e moralit në Iran pasi hoqi shaminë nga koka, shoqëruar me protesta masive dhe me humbje të tjera jete, thotë se një revoltë e tillë duhet të vinte patjetër.
Në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos në MCN TV, Dyrmishaj deklaroi se çdo rregull që imponohet kundër vullnetit në nivel shoqëror, do krijojë krisje, përplasje, revoltë.
Kjo nuk bën përjashtim as rasti i mbulesës edhe pse me keqardhje duhet të them se flasim mbi kurrizin e një vajze të re që nuk jeton më.
Gjithmonë përplasje të kësaj natyre janë me kosto shumë të mëdha dhe të parikuperueshme, por të tilla kosto duhet të shërbejnë për të sensibilizuar dhe për të ngritur opinionin publik.
Për imponimin e shamisë, besoj personalisht, por edhe çdo grua besimtare që ka parasysh parimet e të drejtave të njeriut dhe parimet hyjnore ashtu siç janë, e di shumë mirë se mbulesa, shamia, është një bindje personale dhe produkt i një vullneti individual që duhet ta marrë vendimin vetë.
Ata në Iran nuk janë në protestë kundër Zotit. Për mua në Iran keqpërdoret emri Islam. Ka vende me shumë më tepër Islam që nuk deklarohen si Republika Islame, ndoshta vende ku Islami ka buruar.
Sipas saj, veçori e shtetit të Iranit, është një ekstremizëm shi’it që në raport me Islamin, që në të vërtetë është devijancë nga Islami.
Mentaliteti i një vendi shpesh gjen forcë dhe mbështetje tek disa rregulla, por psikologia nënvizoi se praktika ka treguar se në botën islame, unionet e dijetarëve të Islamit kanë bërë përpjekje për të parë praktikat e besimtarëve në kontekstin e globalizimit.
Nuk është faktor Islami, por është faktor mentaliteti.



