Qyteti jugor i Gazës, Rafah, u godit nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës, pavarësisht rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm. Mediet amerikane shkruajnë për të paktën 18 civilë të vdekur si pasojë e sulmit. Avionët kanë goditur më shumë se 60 objektiva në të gjithë Gazën, kryesisht në mbështetje të forcave tokësore, sipas ushtrisë izraelite. Françeska Albanese, avokate italiane që shërben si raportuese speciale e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze, foli për indikacione të qarta se Izraeli ka shkelur tre nga pesë aktet e listuara në Konventën e OKB-së për gjenocidin.
“Natyra shkatërruese, shkalla e sulmit të Izraelit në Gaza si dhe kushtet katastrofike të jetesës, shfaqin synimin për të dërrmuar fizikisht palestinezët si grup. Forcat ushtarake izraelite dhe udhëheqësit e qeverisë kanë shkelur qëllimisht ligjet e luftës duke legjitimuar dhunën gjenocidale kundër popullit palestinez.”m tha Albanese.
Zyrtarët izraelitë i kanë hedhur poshtë gjetjet e këtij raporti duke thënë se gjetjet e tij nuk janë të vërteta.
Izraeli nuk do ta përfundojë luftën e tij kundër Hamasit derisa militantët të lirojnë pengjet, tha ministri i Mbrojtjes Joav Galant nga Uashingtoni. Më herët, si pasojë e abstenimit amerikan në Këshillin e Sigurimit, Izraeli anuloi takimet me palën amerikane në kuadër të uljes së tensioneve në rajon. Ndërkohë, lideri i Hamasit Ismail Hanijeh mbërriti në Teheran të martën. Akuzat në Perëndim janë se Hamasi ka financim nga Irani. Ndërsa Izraeli është i bindur në vijimin e operacionit ushtarak kundër Hamasit, grupi i cilësuar terrorist nga amerikanët ka paraqitur edhe një herë kushtet për armëpushim: tërheqja e trupave izraelite nga Gaza, kthimi i palestinezëve të zhvendosur dhe shkëmbim të burgosurish.
Për herë të parë, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka paralajmëruar Izraelin se po humbet mbështetjen ndërkombëtare dhe se duhet t’i jap fund luftës në Gaza.



