Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur sot për situatën epidemiologjike në vend.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli ka njoftuar masat e reja anti-COVDI që do të hyjnë në fuqi në vend. Sipas këtij vendimi, punonjësit e administratës, të supermarketeve dhe qendrave tregtare të vaksinohen deri më 31 dhjetor, në të kudnërtën, nga 4 janari do i kërkohet certifikata e vaksinimit ose test COVID çdo 5 ditë.
"Bazuar në situatën epidemiologjike, fakti se jemi në stinë e dimrit dhe shtohet mundësia për të rritu infeksionet, varianti Omicron, për të parandaluar përhapjen e infeksionit, duke filluar nga sot çdo qytetar mbi 18-vjeç mund të bëjë dozën përforcuese të vaksinës, 6 muaj pas dozës së dytë. Deri më 31 dhjetor të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe në qendra tregtare duhet të vaksinohen pasi më 4 janar do të kërkohet certifikata e vaksinimit ose test COVID çdo 5 ditë. Rekomandojmë ndalimin e hyrjes së shtetasve të huaj me histori të udhëtimit 14 ditët e fundit na vendet e Afrikës së Jugut duke filluar nga data 3 dhjetor për 3 javë", tha Rakacolli.
Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet:
Afrikë e Jugut
Kenia
Angola
Zambia
Bostëana
Senegalduke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.
Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njesitë shëndetësore.
Nga ana e saj, Albana Fico u shpreh se vatrat e Covid janë menaxhuar nga autoritetet ndërsa apeloi që qytetarët të vaksinohen kundër koronavirusit.
“Kemi pasur në disa shkolla por që janë menaxhuar siç duhet që të mos kemi ndërprerje të shkollave. Kemi një rritje të mbulesës vaksinale, por kemi rritje edhe në disa bashki, siç është ajo e Tiranës. Këto elementë janë të rëndësishëm, por natyrisht ne kërkojmë një ritëm më të lartë të vaksinimit. Në lidhje me analizën e infeksioneve që shfaqen edhe tek personat e vaksinuar, vëmë re se infeksionet ndërhyrëse janë 10 herë më të larta tek personat e pavaksinuar. Kemi 10 herë më shumë infeksione nga Covid tek të pavaksinuarit. Aktualisht kemi të dhëna kombëtare që shkojnë pak a shumë si të gjitha të dhënat e vendeve të tjera. Ka filluar procesi i dozës shtesë tek personat e caktuar. Është me rëndësi që të vijojmë me rimte të mira , pa harruar vaksinimin e dozës përforcuese”, tha Fico.
Masat e tjera në fuqi:
Masat e tjera vijojnë si më poshtë:
-Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
-Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
•Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
•Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
•Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
•Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
•Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
-Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
-Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.



