Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e gjeologjisë me qëllim të bashkëpunimit dhe aplikimit në projekte dhe aktivitete të ndryshme evropiane.
Zëvendësministrja e MZHE-së, Besa Zogaj- Gashi, tha se kjo marrëveshje është e rëndësishme pasi duke filluar nga sot, gjeologët e Kosovës dhe Shqipërisë mund të aplikojnë me projekte të përbashkëta si pjesë e shërbimit gjeologjik evropian.
Kurse, zëvendësministri i Shqipërisë, Musa Bedriu, tha se me këtë rast mund të bashkëpunohet duke përzgjedhur profesorët dhe specialistët më të mirë të gjeologjisë që të kryejnë projekte shkencore në mes të dy vendeve.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, u shpreh se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndara me kufi por jo edhe me zona minerare.
Ai shtoi se në këtë drejtim mund të bashkëpunohet shumë.
Me këtë rast, delegacioni nga Shqipëria bëri publik edhe projektin e parë në fushën e gjeologjisë i cili do të jenë në bashkëpunim me Kosovën. / KP /



