
Danimarka lehtëson ligjin për abortin për herë të parë në 50 vjet, për të lejuar gratë të ndërpresin shtatzëninë deri në javën e 18-të.
Qeveria njoftoi të premten se ka arritur një marrëveshje me katër parti, Partinë Popullore Socialiste, Aleancën Kuqe-Jeshile, Partinë Social Liberale Daneze dhe Alternativën, për të rritur kufirin e abortit nga 12 javë që është aktualisht.
Rregullat e reja do të lejojnë që edhe 15 deri në 17-vjeçarët të bëjnë një abort pa pëlqimin e prindërve dhe do të zëvendësojnë pesë konsultimet rajonale të abortit me një bord të ri kombëtar, për të shmangur dallimet lokale.
“Kjo ka të bëjë me lirinë e gruas individuale, me të drejtën për të vendosur mbi trupin dhe jetën e saj. Është një ditë historike për barazinë e grave”, tha ministrja daneze për Dixhitalizimin dhe Barazinë Gjinore, Marie Bjerre.
E drejta për abort u prezantua në Danimarkë në vitin 1973.
Kufiri 12 javor u vendos pjesërisht për shkak të faktit se në atë kohë të gjitha abortet ishin kirurgjikale dhe në atë kohë një abort pas 12 javësh kishte një rrezik më të madh për komplikime, tha ministria e Shëndetësisë.
“Pas 50 vjetësh, është koha që rregullat e abortit të ecin me kohën dhe tani po forcojmë të drejtën e grave për vetëvendosje,” tha ministrja daneze e Brendshme dhe Shëndetësisë Sophie Lohde.



