Kryeministri Rama ka komentuar akuzat e opozitës lidhur me deklaratën e kandidatit Donald Trump gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Rama thotë se deklaratat e PD-së janë në nivelin e kafeneve të fshatit, pasi marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të nuk kalojnë përmes inateve.
A duhet të jetë më i kujdesshëm kryeministri i një vendi të vogël si Shqipëria kur flet për kandidatët e SHBA-së?
Unë s’jam manual per sesi duhet të jenë kryeministrat. Unë jam Edi Rama sot kryeministër. Me të mirat e të metat e mia nuk kam ndërmend të jem dikush tjetër dhe nuk kam ndërmend që për arsye të kostumit kur të mbaroj këtë punë të kem lënë në zyrë vetveten. Unë jam ky që jam me të mirat e të metat e mia.
Kreu i opozitës, Basha tha se do të kemi probleme me SHBA për shkak të kësaj administrate të re?
Më kujtojnë këto biseda atë personazhin e Nurihanit, plaka Nurihan e mbështjellë me batanije në bodrumin e saj, që priste radio Londrën për të shpëtuar nga zgjedha e bashkëpronarëve apo bashkëbanorëve të katit sipër. Këto janë biseda që as në kafenetë e fshatit nuk bëhen. Të jetohet me idenë se Amerika gdhihet e ngryset me ne dhe se marrëdhëniet tona me Amerikën janë marrëdhënie që kalojnë përmes inateve nga loja me top tek oborri i lagjes. Plaka Nurihan dhe radio Londra.
Pjesë nga intervista në Ora News



