
Nga qyteti i Durresit, ku ishte këtë pasdite për vëzhgimin e procesit zgjedhor, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, tha se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje tregon se qytetarëve shqiptarë iu intereson vendi i tyre.
Mes të tjerash, ambasadorja Kim iu bëri thirrje kandidatëve për deputetë dhe drejtuesve politikë, që të presin për rezultatin e zgjedhjeve, pra të presin gjykimin e qytetarëve.
“Kemi parë pjesëmarrje të lartë. Kjo tregon se Qytetarëve shqiptarë iu intereson vendi i tyre. Janë raportuar disa incidente dhe është përgjegjësi e autoriteteve të hetojnë. Ne e kemi bërë shumë të qartë që të hetohen çështjet deri në fund. Qytetarët janë duke përmbushur detyrën e tyre. Autoritetet janë duke bërë detyrën e tyre. Tani ka ardhur koha që kandidatët dhe drejtuesit politikë të presin për rezultatet dhe të presin gjykimin e popullit”, tha ambasadorja Kim.
Ndërsa ambasadori Soreca tha se ekipet ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve janë në të gjithë Shqipërinë dhe se gjërat po ndiqen nga afër.
"Është një kënaqësi sot që kemi shkuar nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë. Komentet që kemi marrë sot kanë qenë të qarta që Shqipëria po shpreh vullnetin e saj duke votuar. Votimi ka ecur kryesisht mirë pa probleme, pavarësisht disa incidenteve që do të hetohen dhe procedohen.
Po janë ende edhe 3 orë kohë ndaj thirrja jonë është për ata zgjedhës që nuk kanë votuar ende, e dimë që sot është një ditë shumë e bukur, por duhet të vini të votoni. Pas votimit ju lutem prisni me durim rezultatin dhe për udhëheqësit politikë kini durim të prisni rezultatin dhe respektojeni atë. Tashmë që po flasim kemi ekipet tona në të gjithë Shqipërinë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër", tha Soreca.



