Deputeti Ben Blushi ngriti sot në Kuvend shqetësimin e tij lidhur me grevën e urisë së banorëve të Zharrëzës. Blushi akuzoi qeverinë se mbyt zërin e këtyre banorëve për të favorizuar kompaninë e naftës që operon atje.
Pjesë nga fjala e Blushit
Greva e urisë e 15 banorëve të Zharrëzës që u janë shkatërruar shtëpitë nga tërmete të provokuara nga një kompani nafte u ndërpre sepse ata shpresuan se një komision nga qeveria do t’u jepte të drejtë. Komisioni nuk u mblodh kurrë. U futën në grevë prapë para 4 ditësh. Çfarë ndodh në Zharrëz?
Nxirret naftë dhe uji teknologjik që ndahet pas pëpunimit futet në tokë dhe kjo shkakton tërmete 3-4 ballë disa herë në ditë. Nuk e di si mund të jetonte dikush prej jush në shtëpi të tilla.
Uji i tyre është i ndotur. Do t’ju sillja këtu ujin e Zharrëzës, të ftoja një një ministër ose kryeministrin ta provonte, por ia mori Garda zonjës Hafizi.
Kjo kompani paguan bakshish majtas e djathtas për të blerë të drejta që nuk i ka. Komisioni vendos që dëmshpërblimin nuk e paguan “Bankers”, por buxheti, sikur të ishte tërmet natyror. Pse duhet që taksapaguesit të dëmshpërblejnë familje të dëmtuara nga një kompani private.
Unë nuk kam shpresë përsa kohë që “Bankers” vijon të blejë qeveritë shqiptare.
Rasti tjetër është në Fier. ARMO-n e mori një klient i qeverisë. Ne humbim 200 milionë euro nga nafta. Këto para ikin nga shkollat, pagat, pensionet etj. E dini kush e administron ARMO-n? Një kompani fantazmë, askush. E privatizoi Saliu padrejtësisht, nuk pati asnjë efekt. 70 milionë euro kushton shtetëzimi i saj.



