
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me Kryesinë e Partisë Demokratike. Basha tha se pas djegies së mandateve, mbështetja e partisë është rritur, ndërsa kërkoi një organizim të detajuar të protesës së paralajmëruar për më 13 prill.
“Për protestën e 13 prillit duhet një organizim kapilar për ta patur pjesëmarrjen edhe më të madhe se dy protestat e tjera kombëtare. Kemi të gjithë situatën në favor. Ne jemi de fakto shumicë. Që pas djegies së mandateve, PD-ja ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj”, tha ai.
Partia Demokratike nuk ka ende një vendim për zgjedhjet vendore, pasi kërkon largimin e kryeministrit Rama dhe një qeveri tranzitore që garanton procesin. Megjithatë, Basha u shpreh se demokratët duhet ta përkthejnë sa më shpejt në votë mbështetjen që kanë fituar pas lënies së mandateve.
“Duhet ta përkthejmë sa më shpejt në votë këtë mbështetje të shqiptarëve. Për këtë arsye, pjesëmarrja e lartë në protestë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kërkesa jonë mbetet e pandryshueshme. Largimi i Edi Ramës dhe qeveria tranzitore. Të shpjegojmë kudo në çdo takim që ne jemi shumicë dhe duhet ta tregojme këtë”, tha ai.



