“Berisha është ende në kohë për të dhënë një kontribut”. Kështu u shpreh nga studio e emisionit “Të paekspozuarit” Astrit Patozi, duke folur për krizën në PD.
“Ne s’mund t’i mbajmë sytë as te një njeri i vetëm, as te Zoti. Ne kemi bërë një gabim që për 4 vjet pranuam një kryetar që edhe pse kishim shenja që nuk do na çonte drejt fitores”, tha ai.
“Partia Demokratike nuk është pronë e askujt. Dhe në rast se ju mendoni që është e kundërta, unë nuk kam ça diskutoj më. Për publikun unë mund të them kaq. Partia Demokratike ka pasur shumë problem nën drejtimin e Sali Berishës, por kurrë, në këtë gradë, kurrë në këtë shkallë, siç është sot. Dhe për këtë, jam dëshmitarë, okular dhe një njeri që i ka jetuar në vetën e parë të gjitha zhvillimet. Pa diskutim, kemi pasur probleme përpara 4 vjetësh, në garën që ju thatë mes të ndjerit Olldashi dhe zotit Basha, për të cilët unë kam mbajtur një qëndrim, të cilit nuk i heq asnjë presje, por jemi në një situatë akoma dhe më të rëndë mbas 4 vjetësh dhe kjo është sigurisht për meritë personale të zotit Basha. Sado të thoni që zoti Berisha në hije, apo të tjera si këto, unë nuk jam i prirur që të diskutoj për hamendje…”
Ylli Rakipi – Ju nuk mendoni, që duhet të kthehet Sali Berisha?
Astrit Patozi – Jo nuk mendoj kështu. Unë kam menduar dhe e kam shprehur mendimin tim. Kam menduar që Sali Berisha, duke qenë një lloj patriarku në Partinë Demokratike, njeriu më ndikues për shkak të historisë së kësaj partie, lideri jonë historik, mund të japë një kontribut të çmuar për ta zgjidhur krizën, sepse që Partia Demokratike është në krizë, e dinë edhe fëmijët e kopshtit. Dhe unë i qëndroj kësaj, se zoti Berisha është ende në kohë për të dhënë një kontribut. Në rast se ai vendos. Në rast se ai vendos ndryshe, pastaj sigurisht është çështje e tij. Por ne nuk mund ti mbajmë sytë, as te një njeri i vetëm dhe aq më pak tek zoti. Ndërkohë që po flasim për një gabim të njeriut. Ne duhet të kuptojmë dhe unë jam përpjekur t’jua shpjegoj demokratëve, edhe në takimet që kemi patur, shumë të mira, të shkëlqyera në shumë rrethe të Shqipërisë. Që kryetari i dështuar, nuk është fatkeqësi natyrore, pra ne nuk mund ta trajtojmë sot, Lulzim Bashën si një tërmet, si një vullkan, i cili shpërtheu, na ndodhi dhe njerëzit për forca të mbinatyrshme, nuk kanë mundësi të reagojnë.



