Një foshnje vetëm disa muajshe u shpëtua në Detin Mesdhe afër Ceutës. Një foto e ngjarjes ka tërhequr shumë vëmendje. Shpëtimtari foli në lidhje me ngjarjen.
Është një foto që të mbetet në kujtesë. Një burrë noton në det, ka veshur doreza, është kapur te një gomë shpëtimi dhe ndërkohë mban lart një foshnje. Foshnja është e veshur me një veshje me vija, ka në kokë një kapuç dhe këmbët i ka nën ujë.
Fotoja është shkrepur të martën, kur 8000 persona notuan nga Maroku drejt enklavës spanjolle Ceuta në Afrikën Veriore. Që prej atij momenti fotoja ka bërë shumë bujë. Tani 41-vjeçari Juan Francisco Valle nga forcat policore spanjolle Guardia Civil konsiderohet hero në Spanjë.
Valle tregoi për një stacion radiofonik të mërkurën, se foshnja kishte qenë në shpinën e nënës ndërkohë, që ajo përpiqej të notonte drejt Ceutës. “Ne e kapëm foshnjën, e cila ishte akull e ftohtë, tërësisht e zbehtë dhe nuk lëvizte aspak...Të jem i sinqertë nuk e dija, nëse ishte ende gjallë apo kishte ndërruar jetë.” Ai shtoi gjithashtu se ngjarja në Ceuta kishte qenë pak traumatike.
Shpeshherë nuk mund të dallohej se çfarë mbanin refugjatët në shpinë. Nuk dallohej nëse ishin çanta shpine ose ndoshta fëmijë të vegjël. Ai nuk e dinte nëse foshnja isthe djalë apo vajzë. Sipas El Pais foshnja ka mbijetuar./Spiegel/



