Reshjet e deborës prej disa ditës kanë mbuluar disa zona të vendit tonë, kryesisht në zonat e malësisë.
Sipas parashikimit, OSSH më herët organizoi dhe ngriti grupet e gatishmërisë në të gjithë vendin, duke përforcuar personelin dhe bazë materiale të nevojshme. Pavarësisht masave, koha e keqe pengon stafet që të reagojnë më shpejtë për noemalizimin e situatës. Problematika shfaqen kryesisht në zona të thella rurale, ku gjatësia e rrjetit arrin deri 60 km, sidomos në veri të vendit.
Dëbora është bërë pengesë për kalimin e bazës materiale, pasi rrjeti elektrik kalon në terrene të vështira, si në Valbonë, Lekbibaj, Lëpushë, Kelmend, etj. Dëmet janë kryesisht te përcjellësit, izolatorët dhe shtyllat, pra në rrjetin ajror që kalon përmes relieve malore.

Petraq Lika, administrator i OSSH Sh.A, në një deklaratë për mediat tha se: “Nga brigadat e terrenit po punohet me intesitet të lartë për riparimin e defekteve të mbetura. Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale, ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në zgjidhjen e problemit për shkak të terrenit të vështirë”. Afro 90% e defekteve janë në zona rurale, ku 70% janë në zona “rurale të thella”
Aktualisht rajonet më të prekura nga defektet janë Shkodra, Kukësi, Vlora, Burreli dhe Bajram Curri.



