Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se ka përmbyllur procesin e akreditimit të vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar është rreth 30 mijë vëzhgues.
Sipas listës, KQZ-ja ka akredituar: 18 ambasada me 146 vëzhgues; 6 organizata ndërkombëtare dhe institucione me 37 vëzhgues; 1 institucion publik me 43 vëzhgues; 26 organizata jo-qeveritare vendore me 1 mijë e 713 vëzhgues; 23 subjekte politike 26 635 vëzhgues; dhe 63 media vendore dhe ndërkombëtare me 626 vëzhgues.
Ajo që bie në sy është fakti se në mesin e mediave ndëkombëtare interesim të madh kanë pasur edhe shumë media serbe që kanë kërkuar të akreditohen në KQZ.
Të dielën e kësaj jave, më 14 shkurt në Kosovë pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.



