
Ministria e Punëve të Jashtme Palestineze ka paralajmëruar kundër nisjes së procedurave nga autoritetet izraelite për të aneksuar pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor të pushtuar me pretekstin e krijimit të një "Jeruzalemi të Madh".
Në një deklaratë për mediat thuhet se diskutimet e autoriteteve izraelite rreth aneksimit janë "krime të mëdha", pjesë e politikave sistematike për të zhvendosur palestinezët.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme Palestineze qëllimi është shkatërrimi i themeleve të jetës së tyre me synimin përfundimtar për të minuar një zgjidhje me dy shtete.
Ministria tha se do të vazhdojë të ndjekë ndërkombëtarisht këtë çështje dhe bëri thirrje për "veprim serioz ndërkombëtar" për të parandaluar ndikimet shkatërruese të një lëvizjeje të tillë në perspektivat e zgjidhjes paqësore të konfliktit.



