
Në fund të muajit të tretë në krye të qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti doli para qytetarëve me një bilanc të punës së kabinetit të tij. Kurti tha se për tre muaj, secila ditë ka qenë ditë e ndryshimit për republikën dhe qytetarët.
Ai u ndal te mocioni i mosbesimit, i iniciuar nga LDK-ja, që rrëzoi qeverinë në Parlament disa javë më parë. Kurti tha se në vend që të bëheshin bashkë për ta luftuar rrezikun e koronavirusit, aktorët politikë u bënë bashkë për ta rrëzuar qeverinë.
“Te ne pamë se si disa aktorë në vend, në vend se të fokusoheshin në luftimin e përbashkët të pandemisë, luftuan kryeministrin. Një opozitë dhe një president që virusin nuk e shihnin si rrezik për qytetarët nga i cili duhet shpëtuar, por si mundësi për vetën e tyre për të përfituar. Presidenti, opozita dhe partneri ynë i koalicionit u bënë bashkë që krizës shëndetësore t’ia shtonin edhe një të tillë politike. Kriza politike ishte e paarsyeshme dhe e panevojshme”, ka thënë ai.
Kurti tha se qeveria u rrëzua sepse duan një marrëveshje të shpejtë për gjendje të jashtëzakonshme e copëtim të territoreve, gjë që sipas tij, nuk mund t’i bënin me këtë qeveri.
Kurti ka shtuar se ende nuk dihet përmbajtja e letrës së Thaçit për LDK-në.
“Ne ende nuk e dimë çka ka në marrëveshjen me Listën Serbe. Të premten e pamë se si u nxor një dekret jo kushtetues. Unë e kuptoj presidentin ceremonial që punët ka dëshirë t’i mbarojë jashtë orarit e jashtë ligjit, ama këtë nuk mund ta pranojmë e as lejojmë”, ka shtuar ai.



