Rama rikthen debatin për detin në parlament: Ata që e lëshuan në marrëveshjen e parë më akuzojnë mua

Rama rikthen debatin për detin në parlament: Ata që e lëshuan në marrëveshjen e parë më akuzojnë mua

Gjatë fjalimit në seancën e parë të sezonit të ri parlamentar kryeministri Edi Rama iu rikthye edhe njëherë çështjes së detit, e cila është kthyer në një nga temat më të nxehta të kësaj vere që pa deklaratës së kryeministrit grek në parlament.

Kreu i qeverisë përsëriti se momentalisht nuk ka asnjë marrëveshje me palën greke për detin dhe shtoi se nëse do të ketë ajo do të bëhet nga ekspertët dhe më pas do t’iu dërgohet autoriteteve me radhë për ta vlerësuar atë.

“Nisen me varka mono për të mbrojtur detin duke i rënë lopatës sa majtas djathtas. Po mbrojnë detin por nga kush. Si ju iku deti. Mos keni parë që ka dalë gjë tokë atje ku bëni këto luftërat me varka. Deti aty është nuk ka lëvizur. Nuk është deti, toka ajri, një materie që mund të ndahet si tenderët kur LSI drejtonte ARRSH. Çfarëdo negociatash të bëhen, ato bëhen me persona të autorizuar, nuk bëhen si muhabet varkash. Dhe nëse arrihet një konkluzion ai paraqitet tek autoritetet. Dhe nëse një autoritet, si qeveria firmos marrëveshjen, një tjetër e gjykon atë marrëveshje që është presidenti. Pastaj është gjykata kushtetuese dhe më pas parlamenti i Shqipërisë”, tha Rama.

Më tej kryeministri Rama akuzoi drejtpërdrejtë Ilir Metën, Lulzim Bashën dhe Sali Berishën se e lëshuan detin me marrëveshjen e parë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe sot dalin dhe flasin për një marrëveshje të re që ende nuk ekziston.

“Ata që e lëshuan detin sot kanë dalë ta mbrojnë Ilir Meta, Lulzim Basha, Sali Berisha. Monika nuk ishte në atë kohë sepse nuk kishte lopata. Ato i kishte Iliri. Ata bënë marrëveshjen më të gabuar për Shqipërinë dhe e bënë në mënyrë zyrtare me firma dhe vula. E firmosi me buzëqeshjen më të gjatë që kam parë vetë Lulzim Basha kur ishte ministër i Jashtëm. Ai zakonisht e ka buzëqeshjen kilometrike në atë kohë ishte me milje. Ka dalë Ilir Meta e ka mbrojtur me të gjithë peshën e tij në qeveri dhe fizike. Ishte dyfish në atë kohë, duke na thënë ne që po provokojmë. Nuk çuam në Gjykatën Kushtetuese thashetheme. Çuam një marrëveshje të vulosur dhe nuk bëmë pazar peshku. Kushtetuesja vendosi 9-0 dhe e konsideroi si marrëveshje që cenonte interesat kombëtare. Tani këta cenues të interesave kombëtare që janë konstatuar si të tillë, sot qenkan mbrojtësit e interesave kombëtare nga unë?”, përfundoi Rama.

17:41h Nis sesioni i ri parlamentar, Ruçi: Ndryshimet kushtetuese jo hile e mazhorancës

Seancën e re parlamentare e çeli kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili në fjalën e tij, renditi disa nga arritjet e sesionit të kaluar.

Ai tha se ndryshimet kushtetuese nuk ishin hile nga ana e mazhorancës por jetësim i vullnetit të shqiptarëve.

Sesioni që lamë pas ishte produktiv në disa aspekte. Së pari, Shqipëria mori vendimin e merituar për çeljen e negociatave. Së dyti, veprimatria legjislative dhe kontrolli parlamentar ishin rezultativë dhe të efektshëm. Së treti, produktiviteti u sigurua në kushtet që imponoi programi i rindërtimit dhe pandemia. Së katërti, kuvendi e shtriu kohezionin e veprimtarisë parlamentare të tij, edhe në bashkëpunim me partitë e tera, jashtë Kuvendit, me atë që u quajt Këshilli Politik.” ”Dëshiroj ta bëj të qartë edhe një herë se ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor nuk ishin hile nga ana e shumicës apo prishje e rregulllave të lojës. Por, jetësim i forcës së parlamentarizmit, i vullnetit të pakicës paramentare, por më e rëndësishmja, e vullnetit të shumicës së shqiptarëve”, tha Ruçi. 

Ruçi përshëndeti dhe marrëveshjen ekonomike Kosovë-Serbi

"Më lejoni të përshëndes marrëveshjen ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA. Kjo marrëveshje ui hap rrugës marrëveshjes finale dhe njohjes së Kosovës. Procesi është shumë i rëndësishëm. Hapja e dosjes së Kosovës në tryezën e punës në Shtëpinë e Bardhë, është garanci për këtë çështje. Të kontribuojmë të gjithë që dosja e Kosovës të jetë në dorën e presidentit amerikan derisa të njihet pavarësia e Kosovë”, tha ai. 

Kujtojmë se në këtë sesion, deputetët do duhet të ngrenë kartonin për një sërë çështjesh të rëndësishme në funksion të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është pikënisja e punës për palët duke qenë se 19 tetori duhet ta gjejë KQZ dhe me anëtarë të rinj.

Ende janë hapur procedurat e aplikimit për kandidatët dhe javën e ardhshme pritet që PD të çojë përfaqësuesin e saj në Kuvend, për të ngritur Komisionin e Posaçëm që do bëjë përzgjedhjen e kandidatëve të KQZ-së së re.

Marrëveshja e 5 qershorit solli nevojën për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, Kodit Penal, Ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për sinjalizuesit, Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ligji për funksionimin e prokurorisë dhe Ligji për Partitë Politike.

Puna përgatitore për këto amendamente nga ana e institucioneve është ende mbrapa, në kushtet kur kanë mbetur thuajse 6 muaj nga nisja e fushatës zgjedhore. Sfida e radhës legjislative lidhet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas ndryshimeve në Kushtetutë.

Palët do duhet të përcaktojnë mandatet në zonat zgjedhore, koaliconet parazgjedhore, sa do të hapen listat, pjesërisht apo 100% si dhe pragun elektoral. Në faqen zyrtare ende nuk është bërë asnjë azhornim i Kodit Zgjedhor.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy