
Ulja e detyruar e një avioni rus ka përfunduar në mënyrë tragjike. Ngjarja ndodhi në aeroportin e Moskës, ku një avion pasagjerësh u përfshi nga flakët dhe bëri ulje të detyruar, çka u shkaktoi vdekjen 41 personave, dy prej të cilëve fëmijë.
Pamjet e publikuara në mediat vendase shfaqin një avion të tipit “Sukhoi Superjet 100”, teksa ulet në pistën e aeroportit “Sheremetyevo” ndërsa nxjerr tym e flakë.
Autoritetet bënë të ditur se në avionin që udhëtonte drejt qytetit rus, Murmansk, ndodheshin 78 persona. Tridhjetë e shtatë arritën të dilnin gjallë nga mjeti fluturues.
Një ekip hetuesish është mbledhur për të zbuluar shkaqet e aksidentit.
Avioni sapo ishte ngritur nga pista e aeroportit ndërkombëtar “Sheremetyevo”, kur ekuipazhi njoftoi kullën e kontrollit për anomali. Interfax citon një pasagjer, sipas të cilit avioni është goditur nga një rrufe, megjithatë pritet që shkaqet të bëhen të ditura pas hetimit.
Sukhoi Superjet-100 është avioni i parë civil i prodhuar në epokën post-sovjetike në Rusi. Në kohën kur u prezantua për herë të parë, në vitin 2011, ai ishte krenari për Rusinë.
Por ky model nuk pati sukses jashtë vendit, pasi blerësit nuk shfaqën interes për shkak të mungesës së besimit. Qeveria ruse ofroi subvencione për të inkurajuar kompanitë ajrore ruse për të blerë “Superjet” dhe “Aeroflot” u bë operatori i saj kryesor.



