Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në përfundim të mbledhjes së qeverisë komunikoi vendimin e Këshillit të Ministrave se nga 1 tetori rritet me 10% masa e pagesës së ndihmës ekonomike, për të gjitha familjet që janë përfituese nga skema e mbështetjes sociale.
Manastirliu deklaroi se dyfishohet masa e pagesës së ndihmës ekonomike për familjet me dy fëmijë, gratë kryefamiljare, për të cilat tha se janë rreth 5700.
Kemi vendosur të dyfishojmë pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit pa pension pleqërie apo pa pension social që janë pjesë e mbështetjes ekonomike, +65 vjeç.
Janë 5300 të moshuar që do të përfitojnë nga dyfishimi i pagesës.
Pas indeksimit me 7.5% për personat me aftësi të kufizuar që janë pjesë e mbështetjes, rreth 90 mijë persona me aftësi të kufizuar, një tjetër vendim merret për mbështetjen e energjisë elektrikë, për paraplegjikët, tetraplegjikët dhe të verbërit, të cilëve iu rritet mbështetja për kompensimin për energjinë elektrike.
Ministrja detajoi se masa e mbështetjes për kompensimin për energjinë elektrike, shkon në 3 mijë lekë të reja, ndërsa për personat që kanë status të verbër të kategorisë së dytë, shkon në 2400 lekë të reja.



