
Irakianët sulmuan ambasadën e Suedisë në Bagdad vetëm dy ditë pas djegies së librit të shenjtë Kur’Anit nga një grup protestuesish pro-kurdë në Stokholm. Përveç thirrjeve kundër Suedisë protestuesit mbanin edhe një sërë pankartash në të cilat shkruhej “Kushtetuta jonë është Kur’Ani”. Vendet islame akuzojnë Suedinë si bashkëpunëtore në krim siç ata e quajnë pasi protesta e kurdëve u zhvillua me lejen e kësaj të fundit. Ministria e Jashtme e Irakut përveçse dënoi vendimin e Suedisë për dhënien e lejes për zhvillimin e protestës e cilësoi aktin edhe si një provokim të rrezikshëm për boten islame. Për ngjarjet që pasuan djegien e librit të shenjtë reagoi edhe zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Matthew Miller. “Uashingtoni është thellësisht i shqetësuar nga akti i djegies së Kuranit, akt i cili mund të kërcënojë pakicat fetare në Suedi. Megjithatë dhënia e lejes nuk është një miratim i veprimeve të protestuesve.”, tha Matthew Miller zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ndërsa presidenti turk Regep Tayip Erdogan i bëri të qartë Suedisë se një ngjarje e tillë do të mjegullojë shanset për anëtarësimin e saj në NATO. "Ne do t'i mësojmë përfundimisht perëndimorët arrogantë se fyerja e myslimanëve nuk është liri e mendimit. Ne do të tregojmë reagimin tonë në termat më të fortë të mundshëm, derisa të arrihet një fitore e vendosur kundër organizatave terroriste dhe islamofobike.", tha Rexhep Taip Erdogan. Djegia e Kur’anit është dënuar edhe nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që e cilësuan veprimin një akt të turpshëm dhe mungesë respekti për islamin.



