Kreu i LZHK Dashamir Shehi tha në MCN Live që aksioni i opozitës s’duhet të jetë mitingu dhe vula, por ndryshimi i Kodit Zgjedhor, pasi përndryshe humben 4-5 deputetë në tavolinë.
Shehi thotë se duket se PD-ja nuk e do ndryshimin e sistemit zgjedhor, dhe është e hapur vetëm për koalicionet parazgjedhore.
Sipas tij nga ana politike në zgjedhje do ketë dy opozita, njëra me Berishën në krye dhe njëra që s’e pranon Berishën.

"Me thënë të drejtë nga ana organizative sot s’e kemi të qartë si do shkohet në zgjedhje. Nga ana politike e kam të qartë, do ketë dy opozita, një opozitë me Berishën në krye, dhe një grupim që s’e pranon Berishën. Cila do jetë formula e organizimit kjo do varet nga ligji zgjedhor. Ditën e premte kemi thirrur një diskutim për ligjin. Me ligjin që është sot opozita i dhuron Edi Ramës 4-5 deputetë në tavolinë. Jemi të humbur në princip. Të gjitha partive alternative këto ua kanë mbyllur derën me ligj. Sot ligji s’të jep mundësi të bësh garë politike, hiq Tiranën. Në pjesën tjetër s’funksionon proporcionali.
Me marrëveshjen e 2008-ës, s’mund të hyjnë më forca të reja dhe njerëz të rinj. U bë 15 vjet që jeta politike është bllokuar nga kjo marrëveshje, që është me e keqja. Jam unë i pari vet që grupi që po shkon të negociojë s’kanë bërë asnjë gjë deri më sot. Me sa duket s’kanë as dëshirë për të bërë. Unë e kuptoj që pa dëshirën e Ramës ligji s’ndryshohet, por presion bëhet, idetë shfaqen, me të huajit negociohet. Këto s’duan të ndryshojnë as zonat elektorale, duan t’i lënë 12, as të hapin listat, që ligji të punojë si mazhoritar. Ti do votosh atë që ka vendosur kryetari i partisë. Nuk e di as kush është deputeti, as sa zotësi ka. Kjo do i bëjë dëm të madh opozitës. Opozita po të hapë listën ka mundësi të mobilizojë me qindra mijëra njerëz poshtë e përpjetë Shqipërisë.
Shumë gjëra varen nga ligji. Këtu është kundërshtimi më i madh nga PS, sepse PD i kërkon koalicionet. PD zyrtare sot kërkon vetëm koalicionet dhe para tjetër s’ia japin, nuk kërkon as ndryshim sistemi, as hapje listash, as zgjerim të zonave elektorale. Kjo situatë e sotme i pëlqen PD-së së Berishës se thotë marrim ca vota qyl, në shkëmbim futim disa veta, dalin disa vullnetarë në listë. Po pse me kaq do ta mundim Ramën?! Nëse nuk futen figura të reja në fushë, s’ka shumë shanse për opozitën. Aksioni më i madh opozitar s’është mitingu dhe vula, por a ndryshon Kodi Zgjedhor apo jo. Me këtë kod është paragjykuar opozita shqiptare. Këtë hyrjen me dy grupe s’e shoh ndonjë problem të madh, edhe në Itali e Francë me dy grupe hynë, dhe e mundën të majtën”.



