Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte ka paralajmëruar qytetarët se do të urdhërojë policinë dhe ushtrinë të qëllojnë këdo që thyen rregullat gjatë shtetrrethimit një mujor që është vendosur për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19 në vend.
“Le të jetë një paralajmërim për të gjithë. Dëgjoni autoritetet në këto kohë, pasi gjendja është kritike dhe ne kemi vendosur të urdhërojmë policinë dhe ushtrinë për të qëlluar mbi këdo që thyen rregullat e bllokimit”, tha Duterte të mërkurën në darkë gjatë një interviste televizive.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të mos dëmtojnë punonjësit e shëndetit, mjekët dhe infermierët që janë në krye të detyrës, pasi ky është një krim i rëndë.
“Urdhërat e mija janë të qarta për policinë dhe ushtrinë, nëse dikush thyen rregullat dhe jeta e tyre është vënë në rrezik: qëlloni për vdekje!”, nënvizoi Duterte.
Ndërsa, shtoi më tej: mos e frikësoni qeverinë, mos e sfidoni atë se do të humbni.
Paralajmërimi i tij erdhi pasi banorët e një lagjeje të vogël në qytetin e Manilas organizuan një protestë përgjatë një autostrade, me pretendimin se nuk kanë marrë asnjë ndihmë ushqimore dhe pajisje të tjera, që kur bllokimi i vendit filloi dy javë më parë.
Oficerët dhe policia u kërkoi banorëve që të ndërprisnin protestën dhe të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por ata nuk pranuan, thuhet në një raport policie.
Forcat policore dhe ato ushtarake më pas, sipas raportit, arritën të shpërndajnë protestuesit dhe të arrestojnë 20 prej tyre.



