Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 28 vjecarin turk themeluesin e “Thodex", Faruk Fatih Özer. Gjithashtu është miratuar kërkesa për ekstradim në Turqi.
Gjyqtar i çështjes ishte Elis Dine ndërsa prokuror Kreshnik Ajazi. I riu është shfaqur në kafazin e qelq i qetë i veshur me një palë pantallona të shkurtra të kuqe dhe me një Tishërt të bardhë.
Mësohet se në seancën me dyer të mbyllura, bosi turk i kriptomonedhave kërkoi që të mos e ekstradojnë në Turqi me pretendimin se atje i rrezikohet jeta. Ai u mbrojt nga avokati Sajmir Mengjezi i cili nuk pranoi të ndaj detaje për median, por në cilësinë e palës mbrojtëse në seancë kërkoi një masë më të butë ndaj klientit të tij, gjë që u hodh poshtë nga gjykatësi Dine.
Zhvillimet brenda në seancë u ndoqën dhe nga avokatja turke e 28-vjeçarit Sevgi Eraslan. Në një prononcim për median ajo pretendon se klienti i saj nuk është personi përgjegjës për të cilat akuzohet dhe se ai u ka kthyer paratë “viktimave” të tij, duke e cilësuar ndër të tjera sulmin e tij edhe politik.
Faruk Fatih Ozër akuzohet se u arratis nga Turqia duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”.
Kompania përmes të cilës vepronte Ozër shpalli falimentin, ndërsa ai u shpall në kërkim ndërkombëtar. Në pranga e Policisë së Elbasanit ra dhe Edevaldo Haxhiu, i cili dyshohet se ka ndihmuar shtetasin turk të fshihet, si dhe Briken Shkëmbi. Këta dy shtetas do të njihen në vijim me masën e sigurisë.



