Deputeti i PS Etien Xhafaj duke folur në MCN Live hodhi poshtë zërat se komisioni anti-korrupsion ka për qëllim kapjen e SPAK-ut dhe institucionet e tjera të drejtësisë. Ai vuri në dukje se projekt-rezoluta synon të shtrijë luftën kundër korrupsionit edhe në institucione të tjera, si dhe përmes legjislacionit t’i mbyllen rrugët korrupsionit. Po ashtu ai u shpreh se Kuvendi ka të drejtë të ushtrojë funksionet e veta, pasi në demokraci tre sistemet kontrollojnë njëra-tjetrën. Deputeti socialist tha se duhen përmirësuar edhe mekanizmat për denoncimin e korrupsionit brenda administratës.

"Synimi kryesor është ajo që është shkruar e zeza në të bardhë në projekt-rezolutë dhe që ka për synim të shtrijë luftën kundër korrupsionit edhe në institucione të tjera, në objektin e Parlamentin, në funksionin e monitorimit që duhet bërë nga Parlamenti i Shqipërisë. Ky është momenti për ta shtrirë betejën në të gjitha institucionet, dhe për të shtuar efektshmërinë e Parlamentit, asnjëherë për të bërë prokurorin. Të rishikojë kuadrin aktual ligjor, dhe të gjitha mundësitë për të bërë korrupsion të mbyllen. Patjetër do ta kontrollojmë edhe veten. Opozita merret vetëm me emrat e përveçëm, jo me sistemin. Reforma në Drejtësi është reformë sistemike, nuk ka të bëjë vetëm me ngritjen e një institucioni. Besoj që është deri diku e qëllimshme nga opozita, që të mos marrë pjesë në votim dhe në debat. Janë prezent në komision, që të sigurohen që këto frika dhe meraqe që ata kanë, të mos materializohen. Përmes legjislacionit të mbyllim të gjitha ato rrugë ku kalon korrupsioni. Objekti është i shkruajtur në rezolutë. Opozita të përfshihet në komision dhe t’i monitorojë nga brenda gjërat. Unë druaj se kjo po përdoret si mollë sherri, apo si armë për akuzat e opozitës brenda vetes. Është e shkruajtur në projekt-rezolutë, pika 5, që duhet të sigurojmë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi. Ka nevojë që legjislativi të ushtrojë funksionet e veta. Të tre sistemet e kontrollojnë njëri-tjetrit.
Ka nevojë për një bashkim dhe bashkëpunim për integrimin europian, luftën ndaj korrupsionit. Nuk është thënë asnjëherë që të preket reforma në drejtësi, kjo është një akuzë e opozitës. Mendojmë që është momenti i duhur për ta ngritur betejën në një nivel tjetër. Ne po na akuzojnë sot për tentativë për të kapur një institucion, që po sot na akuzojnë që e kemi kapur! Ka ardhur koha që t’i shikojmë edhe mekanizmat për denoncimin e korrupsionin. Kemi sisteme që u mundësojnë qytetarëve të denoncojnë, pa u identifikuar, por këto mekanizma duhen përmirësuar. Nuk jam në dijeni të emrit të Fatmir Xhafajt si kryetar të komisionit, por është një nga ata njerëz që mund të kapë kontribut aty”.
Xhafaj tha ndër të tjera se duhet të ketë edhe brenda mediave mekanizma për verifikimin e lajmeve. Ai shtoi se ka vende të treta dhe organizata të interesuara për destabilizim në Ballkanin Perëndimor.



