Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë zhdukur pas përmbytjeve që kanë përfshirë Gjermaninë perëndimore, tha policia.
Shteti i cili ka pësuar më shumë dëme nga përmbytjet është Rheinland-Pfalz, ku rreth 50 persona kanë pritur në çatitë e shtëpive për tu shpëtuar nga grupet e emergjencave.
Dhjetëra të tjerë janë zhdukur në rajonin kodrinor Eifel pasi disa shtëpi u shembën, raporton SWR.
Pjesa më e madhe e përmbytjes u shkaktua kur lumi Ahr, i cili derdhet në Rhein, doli nga shtrati në në jug të Bonit.
"Ka shumë vende ku janë vendosur punëtorët e shpëtimit," i tha një zëdhënës policie agjensisë së lajmeve Reuters. "Ne ende nuk e kemi të qartë por shpëtimi po vazhdon."
Ushtria është vendosur në disa zona për të ndihmuar banorët e bllokuar.
Rreth 25 shtëpi janë në rrezik të shemben pranë qytetit Adenau në rajonin Eifel, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, shkruan SWR.
Ndërkohë, dy zjarrfikës vdiqën të mërkurën në një rajon në veri-lindje të Bonit. Njëri u mbyt, ndërsa tjetri thuhet se mbeti i vdekur gjatë një operacioni shpëtimi.
Parashikimet sugjerojnë se stuhia më e madhe pritet në pjesën më të madhe të Gjermanisë të enjten dhe të premten.
Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit, por lidhja e çdo ngjarjeje të vetme me ngrohjen globale është e ndërlikuar.



