Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mirëpritur interesimin e Sllovenisë për të dërguar më shumë trupa në Kosovë. Deklarata është bërë sot gjatë një takimi me kryeministrin i Sllovenisë, Robert Golob. Ky i fundit tha që ende s’ka plane konkrete, por vuri në dukje se Sllovenia është e interesuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, ku është e pranishme edhe me ushtarët e saj.
“Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, Sllovenia është absolutisht dhe seriozisht e interesuar në ruajtjen e stabilitetit të rajonit. Jo vetëm për shkak të afërsisë, por sepse kjo është pjesa e poshtme e Evropës, nëse doni ta quani kështu, ku në vitet e fundit shihet se destabiliteti është në rritje, në këtë drejtim shprehëm interesimin tonë për të siguruar më shumë trupa edhe në KFOR, për të dërguar më shumë personel në Kosovë për të ndihmuar NATO-n, por edhe më së shumti për të ndihmuar autoritetet lokale për të ruajtur paqen”, ka thënë kryeministri slloven, citon AP-ja.



