
Vajza e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un, e cila është shfaqur herë pas here përkrah babait të saj në raste zyrtare muajt e fundit, së fundmi është fotografuar nga mediat shtetërore të vendit me një xhaketë të një marke të njohur luksoze franceze.
Kështu shkruajnë mediat koreano-jugore. Kim Ju-ae, e cila sipas vlerësimeve të inteligjencës së Koresë së Jugut është aktualisht 10 vjeç, u fotografua më 17 mars ndërsa po ndiqte një stërvitje të forcës raketore të Koresë së Veriut me babanë e saj.
Në fotografi, vogëlushja shihet e veshur një xhaketë të zezë me kapuç e cila sipas mediave koreano-jugore është një model i tregtuar nga Christian Dior me një çmim prej rreth 1900 dollarë.
Jeta luksoze e liderit të Koresë së Veriut është e dokumentuar mirë, siç për shembull, dëshmoi ish-ylli i basketbollit amerikan Dennis Rodman, një mik personal i liderit të Koresë së Veriut, i cili në të kaluarën ishte disa herë i ftuar në Phenian.
Vetë Rodman i njoftoi botës ekzistencën e vajzës së Kim, pasi basketbollisti e mbajti personalisht si të porsalindur gjatë një vizite në Korenë e Veriut.



