
Vetëm kur Irani të jetë i lirë Qeveria shqiptare do të konsideronte rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, pasi i prishi ato prej sulmeve kibernetike të muajve të fundit. Deklaratën e ka bërë Kryeministri Rama në një intervistë të dhënë për Washington Post, ku u shpreh i bindur se Irani do të sulmojë sërish, sepse është i motivuar nga urrejtja.
FBI dhe një ekip nga Microsoft punuan me ekspertë të huaj dhe shqiptarë për të identifikuar katër grupe të veçanta hakerash që qeveria iraniane dihet që i sponsorizon, veçanërisht jashtë Ministrisë së saj të Shërbimeve Sekrete.
Një prej tyre ishte në mesin e 10 grupeve më të mëdha të terrorizmit kibernetik, gjurmët e të cilëve janë zbuluar gjithashtu pas sulmeve ndaj Arabisë Saudite, Izraelit e kështu me radhë. Hakerët e korrikut ishin të prirur për shkatërrimin e shërbimeve qeveritare, 95 për qind të të cilave Shqipëria i ka zhvendosur në disponueshmërinë online, pasi radhët e gjata më parë detyronin disa njerëz të prisnin me muaj për licencat dhe certifikatat. Në bazë të hetimeve, shkalla e sulmit ishte e tillë që synimi pas tij ishte shkatërrimi i plotë i infrastrukturës sonë për të na çuar në epokën e letrës dhe në të njëjtën kohë, zhdukja e të gjitha të dhënave tona. Ndjesia jonë e parë është se ata nuk ia dolën të shkatërrojnë infrastrukturën. Shërbimet janë rikthyer. Së dyti, të dhënat. Po, ata morën disa, por praktikisht jo me ndonjë rëndësi të veçantë.
Rama nuk i përmendi me emër katër grupet që hetimi i cilësoi përgjegjës. Kur Shqipëria urdhëroi dëbimin e diplomatëve iranianë dhe ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike, disa e përshëndetën atë si ndoshta veprimi më i fortë që një vend kishte ndërmarrë ndonjëherë si kundërpërgjigje ndaj një sulmi kibernetik.
Por, disa ngritën pikëpyetjen nëse ky model do të funksiononte edhe për vendet e tjera duke pasur parasysh se disa nga ”lojtarët” më të mëdhenj në hapësirën kibernetike, si Kina, do të ishte më e vështirë të frenoheshin.
Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie të rëndësishme me Iranin, kështu që ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nuk ishte ndonjë humbje e madhe. Vende të tjera mund të jenë në gjendje të përdorin qasjen që bëri Shqipëria, në varësi, së pari, nga tërësia e çdo hetimi, në mënyrë që të ndihen të sigurt në dëbimin e diplomatëve, dhe së dyti nga shkalla e dëmtimit që shkaktojnë sulmet. Po godet praktikisht vendin duke shkatërruar infrastrukturën më të rëndësishme. Falë Zotit, goditjet nuk janë të dukshme, plagët nuk janë fizike, por gjithsesi mbetet një agresion, një sulm dhe një dëm i drejtpërdrejtë për sovranitetin kombëtar… A do t’i ruanit ju marrëdhëniet me një vend që ju sulmon? Irani ka mohuar përgjegjësinë për sulmin dhe ka dënuar reagimin e Shqipërisë.



