Këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina do të duhet të përballet tashmë me dy akuza në Gjykatën e Kukësit. Ajo rezulton të jetë arratisur nga banesa që duhet të qëndronte, si pasojë e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të dhënë nga Gjykata e Kukësit pasi u kap me dy pistoleta në kufi.
Përveç akuzës së “Trafikut të armëve dhe municionit”, këngëtarja do të përballet edhe me akuzën e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Kjo pasi këngëtarja kosovare nuk është gjetur në banesën ku duhet të qëndronte pas vendimit të dhënë nga Gjykata. Tashmë ajo është shpallur në kërkim policor, nën akuzën e “Thyerjes së masës së arrestit”. Policia e Kukësit njofton se po bëhen kërkime për kapjen e këngëtares 34-vjeçare.
Njoftimi nga Policia e Kukësit
Më datë 20.01.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në ngarkim të shtetases F. M., 34 vjeçe, banuese në Prishtinë, e cila është me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës Parë Kukës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia nuk është gjetur në banesë. Po punohet për kapjen e saj.
Kujtojmë që Fjolla Morina u arrestua në muajin shtator të vitit të kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, me biznesmenin Fisnik Syla dhe shoferin Fitim Muji. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e këngëtares tip “Audi”, në çantën e saj u gjetën dy armë tip pistoletë. Gjatë ekspertizës së kryer, njëra prej armëve rezultoi të ishte e llojit çakmak. Gjatë dëshmisë së saj, Fjolla Morina është shprehur se armët i përkasin asaj dhe se biznesmeni Syla që tashmë është martuar me këngëtaren Morina, nuk kishte të bënte me autorësinë e tyre.
Sipas Morinës, armët kishin kohë që qëndronin në çantën e saj dhe se ajo i kishte harruar aty. Momentin e arrestimit, Fjolla Morina ishte nisur për të xhiruar një videoklip në Ulqin.



