
Në një takimin me qytetaret e Durresit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha hodhi akuza të rënda në drejtim të kryebashkiakut Vangjush Dako dhe tha se ka vënë Bashkinë e Durrësit në funksion të bandave, duke u dhënë atyre miliona euro të punëve publike në këmbim të ruajtjes së pushtetit. Kryedemokrati tha se ka ardhur koha që demokratët bashkë me qytetarët të sjellin ndryshimin në Durrës pas shumë vitesh tiranie mafioze të krimit dhe korrupsionit, arsyet kryesore të shkatërrimit të zgjedhjeve te lira.
“Është kjo arsyeja që nuk i kërkoni dot llogari Gjushit. Se në fakt Gjushi, nuk e ka lidhur me ju, e ka lidhur me bandat fatin e tij në politikë. E për këtë arsye në një vend normal, nuk duhej të ishte në Bashki, por duhej të ishte në qeli”, u shpreh Basha.
Basha u kërkoi qytetarëve ta shihnin çështjen e Teatrit jo vetem si një aferë korruptive, por si çështje e lirisë së tyre personale, përsa kohë Edi Rama ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe ka marrë nën kontroll çdo pushtet.
“Çështja e Teatrit Kombëtar është beteja për të rikthyer shtetin ligjor, ose fundi i shtetit ligjor, i shtetit të së drejtës dhe fillimi i një diktature të krimit, e cila, atë që po bën me Teatrin, nesër do ta bëjë me pronat tuaja, me shtëpitë tuaja. Kemi arritur aty ku nuk mban më. Sepse Edi Rama dhe Vangjush Dako nuk do të ndalen, po nuk i ndalëm ne", u shpreh Kryetari i PD.
Basha tha se Shqipërisë i duhet një qeveri ku Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm të mos jenë të lidhur me krimin, që kane prioritet ekonominë e qytetarëve të zakonshëm dhe jo pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit.



