Pedagogu Emilio Çika tha në “Mcn Economy” se nga studimet që janë bërë me fokus-grupet, rezulton se tregu i punës ka ndikimin më të rëndësishëm te studentët në përzgjedhjen e degëve të studimit. Megjithatë ai shton se si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik ka kërkesa punësimi ku përfshihet një gamë e gjerë e shkencave sociale. Çika tha se institucionet e këshillimit të karrierës janë thuajse inekzistente në shkollat e mesme, ku ndikon më shumë drejtori dhe mësuesi. “Në një shoqëri të globalizuar në të cilën jetojmë, që është sistemi dominues dhe ka rregullat e tij. Tregu i punës, mirë apo keq, vendos për përzgjedhjen e degëve të studimit. Nga studimi që kemi bërë, me fokus grupet, diskutime direkte me studentët e disa universiteteve ku kam komunikuar drejtpërdrejtë me ta, disa nga gjetjet janë që dega që ata preferojnë të zgjidhnin lidhet në radhë të parë me atë që është tregu i punës, si do kontribuojnë ose do përthithen nga tregu i punës. Një pjesë e studentëve zgjidhnin degë edhe jo në lidhje me kërkesat e tregut të punës. Edhe pse degët e fushave sociale, që në përgjithësi kanë një ulje, por edhe ndoshta s’kanë pasur atë promovimin e duhur, megjithatë do thoja që edhe kërkesat që vijnë nga tregu i punës, qoftë sektori privat dhe shtetëror, nëse do shohim CV-të që kërkohen përfshin një gamë të gjerë të shkencave sociale, që nuk përkon me opinionin publik, që shkencat sociale nuk kërkohen në tregun e punës. Sistemi është përshtatur në mënyrë që të rregullojë dhe vetrregullohet. Ka problematika që lidhen me orientimin e studentëve, që vjen nga dëshirat e studentëve, të prindërve, dhe këshillimi i karrierës që thuajse nuk ekzistojnë. Nga intervistat dhe fokus grupet tregojnë që s’kanë pasur fare ndikim, ose ndikim shumë të vogël. Më shumë ndikim ka pasur nga drejtorët dhe mësuesit se sa nga institucionet e këshillimit të karrierës”. Çika tha se ka një ikje alarmante të studentëve të mjekësisë dhe infermierisë jashtë vendit. Ai shtoi se duhet të ketë strategji të mirëmenduara nga qeveria, si dhe të futen lëndë të caktuara në shkollat e mesme, që ndikojnë në rritjen e punësimit. “Ka shumë fusha që kanë një rrjedhje të jashtëzakonshme, kundrejt nga vendi. Infermieria, mjekësia, janë në një shkallë alarmante të largimit. Duhet parë nevoja e ndërhyrjes, jo vetëm e lënies së situatës, në atë që tregu vendos. Në raste të caktuara tregu vendos mirë, ndonjëherë vendos jo ashtu siç duhet. Duhet të ketë strategji të mirëndërtuara dhe të mirëushtruara nga publiku, nga qeveria dhe institucionet zbatuese të këtyre strategjive. Futja e lëndëve të caktuara në shkollat e mesme mund të ndikojnë në rritjen e punësimit në fushë të caktuara. Vet ministria, siç pati një iniciativë thuajse një vit më parë në vënien e disa fushave si prioritare apo strategjike, duhet ta zgjerojë këtë gamë për futjen në sistemin e mesëm të lëndëve të caktuara, që studentët pasi mbarojnë të kenë një treg të sigurt në gjetjen e punës. Duhet të ketë politika që duhet të vihen në zbatim sa më shpejtë, në mënyrë që të rregullojnë tregun e punës dhe largimin e studentëve. Pyesim në auditor çfarë do bëni më pas, mbi gjysma mendimi i parë është do mbarojmë studimet dhe do largohemi. Nuk duhet të ndodhë, se kjo moshë është motori zhvillues i vendit”.



