Shkencëtarët kanë dhënë një lajm të mirë për të gjithë të infektuarit me virusin Hiv, virusin që sulmon sistemin imunitar të trupit. Ata thonë se kanë arritur që përmes teknologjisë së modifikimit të gjeneve Crispr të eliminojnë me sukses Hiv-in nga qelizat e infektuara.
Sipas shkencëtarëve kjo metodë shërben si një gërshërë në nivel molekular e cila pret ADN-ne duke bërë që pjesët e infektuara të saj të eleminohen.
Megjithatë Ekipi i Universitetit të Amsterdamit që bëri gjetjen tha përmes një konference se aplikimi e kësaj metode nuk do të nisë së shpejti pasi ata janë ende në nivel teorik.
“Do të nevojitet shumë më tepër punë për të demonstruar rezultatet. Kemi nevojë për më tepër kërkime përpara se kjo të aplikohet tek të prekurit me HIV dhe kjo është jashtëzakonisht sfiduese.”, tha James Dixon Profesor i Asociuar i Terapisë së Gjeneve.
Shkencëtarë të tjerë po përpiqen gjithashtu të përdorin Crispr kundër HIV. Dhe Excision BioTherapeutics thotë se pas 48 javësh, tre vullnetarë me HIV nuk kanë efekte anësore serioze .
Por Dr Jonathan Stoye, një ekspert i viruseve në Institutin Francis Crick, në Londër, tha se heqja e HIV nga të gjitha qelizat që mund ta mbajnë atë në trup ishte "jashtëzakonisht sfiduese".
“Efektet jashtë objektivit të trajtimit, me efekte anësore të mundshme afatgjata, mbeten një shqetësim”, tha ai.
"Prandaj duket se ka shumë gjasa që do të kalojnë shumë vite përpara se një terapi e tillë e bazuar në Crispr të bëhet rutinë - edhe duke supozuar se mund të tregohet se është efektive."
HIV infekton dhe sulmon qelizat e sistemit imunitar, duke përdorur makinerinë e tyre për të bërë kopje të vetvetes.
Edhe me trajtim efektiv, disa kalojnë në një gjendje pushimi ose latente - kështu që ato ende përmbajnë ADN-në, ose materialin gjenetik, të HIV-it, edhe nëse nuk prodhojnë në mënyrë aktive virusin e ri.
Shumica e njerëzve me HIV kanë nevojë për terapi antiretrovirale gjatë gjithë jetës. Nëse ndalojnë marrjen e këtyre barnave, virusi i fjetur mund të rizgjohet dhe të shkaktojë sërish probleme.
Disa prej tyre janë "shëruar" me sa duket , pasi terapia agresive e kancerit fshiu disa nga qelizat e tyre të infektuara, por kjo nuk do të rekomandohej kurrë thjesht për trajtimin e HIV-it.



