
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka zhvilluar sot një takim me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.
Gjatë takimit në Pallatin Presidencial, kryetarja Nikolla shprehu mirënjohjen rreth bashkëpunimit dhe kontributit të presidentit Erdogan në vazhdën e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Për rolin, angazhimin dhe kontributin personal të Presidentit Erdogan në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik midis të dy vendeve. Ne gjithashtu vlerësojmë dhe Ju falenderojmë për rolin e Turqisë si lobuese e fuqishme në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, zërin e fuqishëm të Turqisë në NATO për institucionalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si një premisë drejt paqes e stabilitetit në Ballkanin Perendimor, dhe do të dëshironim angazhimin e Turqisë edhe në ndalimin e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga disa shtete”.
Nikolla i shprehu Presidentit Erdogan mirënjohjen e thellë për ndihmën e që Qeveria turke i ofroi Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe të pandemisë dhe e informoi se 524 apartamentet e banimit në bashkinë e Kurbinit kanë përfunduar dhe janë gati të presin familjet në janar 2022.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan rikonfirmoi vendosmërinë për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë, zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe të Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe njoftoi se së shpejti do vijë personalisht në Shqipëri për inaugurimin e apartamenteve të banimit për familjet e Bashkisë së Kurbinit të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.



