
Përmes një vendimi bombë, Gjykata Administrative e Apelit ka riaktivizuar koncesionin e florinjtë 457 milionë euro të rrugës Thumanë-Kashar duke hapur kështu një skenar shumë të rrezikshëm për financat e shtetit.
Koncesioni i Thumanë-Kashar u pezullua me urdhër nga Belinda Balluku në janar të vitit 2019 sapo ajo u ul në postin e ministres së infrastrukturës. Por Gener 2, kompania fituese e koncesionit, e paditi këtë vendim në gjykatë. Fillimisht, gjykata e shkallës së parë i dha të drejtë qeverisë. Por në 29 korrik të këtij viti, në kulmin e sezonit të pushimeve dhe pa shumë zhurmë, Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë ka vendosur të shfuqizojë urdhrin e Ministrisë së Infrastrukturës për të ndërprerë koncesionin e Thumanë-Kashar.
Madje, treshja gjykuese e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa ka marrë vendim të detyrojë Ministrinë e Infrastrukturës që të vijojë veprimet administrative për t'i përcjellë Këshillit të Ministrave për miratim kontratën koncesionare të Thumanë-Kashar, aksit i cili do t'u kushtojë shqiptarëve 22 milionë euro për një kilometër.
Pjesë e programit 1 miliardë euro të rindërtimit, koncesioni Thumanë-Kashar, nisi si një propozim i pakërkuar nga kompania Gener 2 në vitin 2017. Qeveria e pranoi propozimin duke e shpërblyer kompaninë Gener 2 me 8.5 për qind të pikëve për idenë.
Tenderi u zhvillua në korrik të vitit 2018 dhe, ashtu siç pritej, fituese e koncesionit u shpall kompania Gener 2, e cila ofroi ta ndërtonte rrugën me 225.8 milionë euro. Por kjo ishte vetëm vlera e ndërtimit, pa përfshirë mirëmbajtjen, koston e interesit të parasë për 13 vjet dhe fitimin e kompanisë. Vlera e vërtetë do të zbulohej pak muaj më vonë.
Në fillim të nëntorit 2018, qeveria i paraqiti Kuvendit projektbuxhetin për vitin 2019. Në këtë dokument, fatura buxhetore e koncesionit Thumanë-Kashar ishte rritur nga 225.8 milionë euro, në 370 milionë euro.
Por nuk do të mbaronte as këtu. Marrëzia ishte aq e madhe saqë kostoja e rrugës rritej thuajse çdo javë. Në 20 nëntor 2018, ish-ministri i atëhershëm i Financave, Arben Ahmetaj, zbuloi një tjetër kosto për koncesionin. Gjithçka është e dokumentuar në proces-verbalin zyrtar të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë.
Për projektin e koncesionit/PPP “Për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar, një nga akset kryesore që lidh Veriun me Jugun, kostoja buxhetore totale e parashikuar është 56, 3 miliardë lekë. Kosto buxhetore mesatare ndër vite, në 13 vite, është 4, 3 miliardë lekë.
Pra, 56.3 miliardë lekë ose 457 milionë euro për një rrugë 20.8 kilometër të gjatë. Saktësisht 22 milionë euro për një kilometër rrugë. Shifra që vetëm rritej habiti dhe vetë zyrtarët e Partisë Socialiste.
Dy javë më pas, në 6 dhjetor të vitit 2018, emisioni "Të Paeskpozuarit", nga Ylli Rakipi, publikoi skandalin e Unazës së Tiranës, ku ishte përfshirë DH Albania, një kompani fantazmë e lidhur me Gener 2. Me skandalin që i plasi në dorë, Edi Rama ndryshoi me urgjencë qeverinë duke emëruar ministre të Infrastrukturës Belinda ballukun. Vendimi i saj i parë ishte pezullimi i Thumanë-Kashar përmes një konference shtypi.
Por tashmë koncesioni i artë rrezikon të aktivizohet. Vendimi i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë. Qeveria mund të kërkojë pezullimin e tij në Gjykatën e Lartë. Por tashmë vendi ndodhet përballë një skenari të rrezikshëm, ku koncesioni mund të aktivizohet nga dera e pasme. Ndoshta edhe me një marrëveshje të heshtur, ku qeveria do të justifikohet se ajo e anuloi kontratën, por e detyroi gjykata. Kjo është një çështje ku janë në lojë 457 milionë euro, një minë me sahat për financat e shtetit.



