
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëj fajtore për grabitjen e 10 milionë eurove kompaninë koncesionare të aeroportit të Rinasit. Në një deklaratë për mediat, Balluku tha se koncesionari kinez nuk ka marrë asnjë masë, pavarësisht thirrjeve të organeve mbikëqyrëse për të rritur sigurinë.
“Ngjarja e 9 prillit është një ngjarje e përsëritur, por fatkeqësisht edhe më e sofistikuar nga keqbërësit në krahasim me herët e tjera, çka sjell cenimin e sigurisë kombëtare dhe saj ndërkombëtare, pasi aviacioni civil nuk ka kufi. Përsëris qëndrimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të zgjidhur një herë e përgjithmonë një problem madhor, të cilin e kemi trajtuar me kujdes dhe konform normave dhe rregullave që aviacioni kërkon. Fatkeqësisht gjetjet dhe detyrat që i janë lënë kompanisë koncesionare dhe këtu po i referohem vetëm periudhës nga korriku 2016 pas grabitjes së parë në pistën e këtij aeroporti kanë rënë në vesh të shurdhër”, tha ajo.
Balluku e konsideroi të gabuar që në krye të herës lidhjen e kontratës me kompaninë kineze që ka koncesionin e aeroportit.
“Masat e marra kanë qenë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme. Masat e marra nga koncesionari i TIA kanë qenë sa për të kaluar radhën dhe për të vazhduar qetësisht vjeljen e kësaj kontrate të gabuar që në gjenezën e saj. Kontratë kjo që nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë”, tha ajo.
Sipas saj, grabitja ka hapur “kutinë e Pandorës”, që do të thotë se mund të ketë masa penalizuese ndaj koncesionarit të aeroportit.
“Të ardhurat dhe taksa për pasagjerë prej 3 eurosh që kompania vjel nuk u përdoren për investime serioze për pasagjerët. S'po ndalem sot në detajet e kushteve të munguara në këtë aeroport, i vetmi aeroport ndërkombëtar për momentin, pasi Kutia e Pandorës është hapur dhe do të kemi kohë plot për të sqaruar mungesën e kushteve dhe detyrimeve për cilësinë e shërbimeve që kompania nuk plotëson. Këto të ardhura nuk janë përdorur as për të rritur sigurinë e aeroportit, ashtu siç është kërkuar nga organet mbikëqyrëse. I vetmi investim që kompania kineze ka për zemër janë parkingjet. Ti shtojë ata dhe të vjelë fitime të lehta duke harruar kush është objekti kryesor i sipërmarrjes së tyre në Shqipëri”, tha ajo.



