
Qytetarët dhe opozita do të organizojnë një protestë të dytë për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti.
Protesta do të mbahet në orën 18:00 para Ministrisë së Brendshme.
Një nga aktivistët e shoqërisë civile, Aurel Kujtimi, thotë se pret pjesëmarrje masive, pasi thirrja për protestën përkon me atë që ka bërë edhe opozita.
Kujtimi tha se marshimi do të nisë te Ministria e Brendshme për t’u ndalur te Kryeministria.
Thirrja është bërë nga të rinjtë aktivistë të shoqërisë civile. E pamë të domosdoshme sepse është i disati rast që policia po vret një të ri. Është e domosdoshme që kjo protestë të bëhet. Lindi nga rrjetet sociale, ishte krejt e natyrshme. Pamë që kishte reagim.
Është bërë një thirrje edhe nga opozita. Ne shpresojmë që të ketë akoma më shumë pjesëmarrje. Është e domosdoshme. E kemi parë që Policia e Shtetit është arrogante dhe keqtrajton të rinjtë shqiptarë. E kanë keqpërdorur uniformën e policisë.
Por ne që dalim nuk dalim për arsye politike dhe partiake.
Kjo thirrje është bërë nga të rinjtë. Ne e dimë si funksionon policia sepse na kanë shoqëruar për protesta. Çdo prind mund të vijë, çdo person mund të vijë.
Marshimi nis te Ministria e Brendshme. Kur protestuam për Klodian Rashën, kërkuam dorëheqjen e Ardi Veliut. Ai u dorëhoq por na erdhi nga krahu tjetër. Ne nuk pranojmë që policia të drejtohet nga këta. Njerëz me uniforma policore që janë kriminelë në shpirt.



