Kryeministri Rama inspektoi sot punimet në rrugën e Lumit të Vlorës, e cila së bashku me rrugët e fshatrave do të jetë rreth 100 km.
Në fjalën e tij Rama kujtoi sërish mallkimet që mori që në ditët e para në detyrë, për mosmbajtjen e premtimit. Rama tha me ironi se vlonjatët janë të paduruar në gen, por nuk kanë faj pasi kanë pritur 25 vjet.
“Padurimi juaj gjenetik duhet të trajtohet me shumë respekt nga ana ime dhe nga ana jonë por edhe ju vetë duhet të kuptoni që punët nuk bëhen sa hap e mbyll sytë. Ja ku jemi sot këtu për t’i hapur rrugë këtij projekti. Në projekt përfshihen edhe lidhjet e fshatrave me rrugën e lumit të Vlorës. Është një projekt i cili në harkun e 23 viteve do sjellë një transformim të madh infrastrukturor dhe do hapë një rrugën e një transformimi të rëndësishëm ekonomik dhe social. Dua të falënderoj një mik që ka qenë një nxitje, Mezan Malaj dhe që ditën e parë dhe sa herë jemi takuar dhe sa herë unë kam harruar më ka kujtuar për rrugën e lumit. Rol të rëndësishëm kanë pasur edhe deputetët”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Rama i uroi ditëlindjen kryetarit të Bashkisë së Selenicës, duke gjetur rastin për një batutë.
“I uroj ditëlindjen kryetarit të bashkisë së Selenicës. E kemi me PD, po e kemi punëtor”, tha ai.



