
Shqipëria është përfshirë nga një valë e të ftohtit të acartë, e cila do të vijojë përgjatë gjithë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme, ku si pasojë do të ketë një sërë masash, nga mbyllja e shkollave tek kufizimi i qarkullimit në disa akse rrugore.
Forcat e Emergjencave Civile sakaq, kanë qenë në terren përgjatë gjithë kohës, për të normalizuar gjendjen e qarkullimit dhe për të shmangur situata avarie.
Kështu e ka nisur ditën edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka shpërndarë disa imazhe nga puna që po kryhet në terren.
“Mirëmëngjes dhe me punën që vijon papushim me të gjitha kapacitetet për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në zonat e mbuluara me dëborë, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama dhe ndan pamjet e mëposhtme nga akse të ndryshme të vendit.
Pavarësisht temperaturave të ulta dhe reshjeve të dëborës që kanë nisur në disa zona të vendit, deri sot nuk raportohet për probleme në qarkullimin e mjeteve dhe rrugë të bllokuara.



