BE kërkon të rimarrë kontrollin e të dhënave dhe t'i shfrytëzojë ato në mënyrë që përfitues të jenë qytetarët, kompanitë dhe komunitetet. Akti i ri për Qeverisjen e të Dhënave (DGA) është plani ambicioz që u prezantua nga Komisioni Evropian. Ai është pjesë e strategjisë së re të BE-së, e cila kërkon të sfidojë kontrollin që kompanitë e mëdha të teknologjisë, të cilave u referohemi shpesh si Big Tech, kanë mbi sferën e të dhënave.
Qytetarët dhe kompanitë europiane gjenerojnë gjithnjë e më shumë të dhëna në internet. Sipas përllogaritjeve të Komisionit, kjo sasi të dhënash pritet të pesëfishohet deri në vitin 2025. Nënkryetarja e Komisionit, Margrethe Vestager, vëren se 'sot vetëm një pjesë e vogël e këtyre të dhënave vihen në përdorim produktiv'.
Sipas një studimi të BE, masat e reja mund të rrisin vlerën vjetore ekonomike të ndarjes së të dhënave 7-11 miliardë € deri në 2028.
Megjithatë, zyrtarët e lartë europianë thonë se më shumë sesa një sfidë ndaj të mëdhenjve, ky plan është një strategji për veten.
Për të ilustruar nevojën për administrimin e të dhënave vetë, BE sjell rastin e luftës kundër COVID-19. Zyrtarët europianë thonë se 'dhurimi' i informacionit nga kompanitë farmaceutike për studiuesit evropianë gjatë pandemisë, i lejoi ata të identifikonin molekulat për trajtim kundër virusit. Sidoqoftë, pa pasur të rregulluar procesin e ndarjes së të dhënave, u deshën tre muaj. Komisioni argumenton se me një 'hapësirë të përbashkët evropiane të të dhënave shëndetësore', zgjidhja mund të kishte ardhur më shpejt.
Si funksionin?
Plani i Komisionit përcakton rregullat se si të dhënat jo-personale mund të përdoren dhe ndahen brenda një tregu të vetëm për të dhënat. Ai gjithashtu do të përcaktojë se kush ka qasje në të dhëna dhe cilat të drejta i rregullojnë ato.
Të dhëna jo personale janë çdo e dhënë që nuk përmban të dhëna personale të identifikueshme ose të dhëna që janë bërë anonime. Mosha ose gjinia e një personi nuk konsiderohen të dhëna personale, pasi një individ nuk mund të identifikohet vetëm nga ato të dhëna.
Modeli do të bazohet në 'ndërmjetës të dhënash' ose organizatorë të ndarjes ose bashkimit të të dhënave, me qëllim që të sigurojë neutralitet dhe transparencë.
Si të tillë, 'ndërmjetësit' nuk do t’i përdorin të dhënat për llogari të vet. P.sh. Komisioni përpunon, por nuk mund të shesë të dhënat te një kompani tjetër ose t'i përdorë ato për të zhvilluar një produkt bazuar në këto të dhëna.
Ç'pritet më tej?
Akti për Qeverisjen e të Dhënave është vetëm hapi i parë në legjislacionin që përvijon planin e të dhënave. Duke vendosur që të dhënat e BE duhet të ruhen dhe përpunohen brenda kufijve të bllokut, ky ligj përcakton një sfidë për kompanitë e vendosura në Silicon Valey, si Google.
Hapat e ardhshëm në arsenalin e të dhënave të BE-së, Akti i Shërbimeve Dixhitale dhe Akti i Tregjeve Dixhitale do të zbulohen në fillim të dhjetorit. Për t’i dhënë dorën e fundit strategjisë së re, një akt i ri i të dhënave është planifikuar për vitin 2021. / Euronews / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



