
Deputeti i PS Toni Gogu e konsideroi garën për bashkinë e Tiranës si të pabarabartë, në kuptimin që sipas tij Veliaj ka përvojë të gjatë pune, ndërsa kundërshtari i tij Belin Këlliçi duhet t’u mbushë mendjen njerëzve ‘pse është ndryshe nga Luli”. Gogu tha se Këlliçi duhet të tregojë se nuk është një kukull në dorën e atij që e konsideroi si “baca Sali” apo “baca Meta”.
Gara është e pabarabartë sepse Veliaj flet me një histori të gjatë pune. Flet vargu i shkollave, i kopshteve, flet një qytet që është jashtëzakonisht më miqësor me këmbësorin dhe çiklistin. Ka një sërë mënyrash si ne po sondojmë. Sondazhet janë aty, ajo që po them është realiteti. Ambicia është që Tirana të jetë kryeqytet i rajonit. Veliaj së bashku me Ramën po e çojnë Tiranën me shpejtësi në atë standard, të një qyteti normal europian. Kandidati është ri, unë dhe ai jemi rishtar në Parlamentin shqiptar. Ka një histori që duhet t’i mbushë mendjen njerëzve pse ky është ndryshe nga Luli. Tirana ka brenda edhe tironësit edhe tiranasit, është edhe për autoktonin dhe për të huajit. Duhet të tregojë që s’është një kukull në dorë të bacës, apo bacave”.
Duke u ndalur te inceneratorëve, Gogu tha se Tirana është sot një qytet më i pastër dhe theksoi se PS çoi kryeministrin Rama të dëshmojë mbi aferën, gjë që s’kishte ndodhur me qeverinë e mëparshme.
PS çoi kryeministrin e këtij vendi si dëshmitar, nuk kishte ndodhur kurrë në qeveritë e mëparshme që kryeministri të dëshmonte. Tirana sot është e pastër, sot nuk kemi më male me plehra, por qytet të pastër. Ajo gjëja është duke funksionuar. Sot që flasim prokurorët janë duke hetuar. Nuk mund të dalim ne edhe të themi: ‘kanë vjedhur’, ‘çfarë hajdutësh janë ata!’. Do presim deri në 14 maj në këto bashki ku kemi inceneratorë. Popullit shqiptar s’ia ka shitur kush sapunin për djath”
Gogu i konsideroi si realiste llogaritë e Gjiknurit për fitoren në të paktën 40 bashki. Gogu tha se brenda selisë rozë ka ripërtëritje dhe llogaridhënie nga kryetarët e bashkisë.
Na paska ulur, se kemi 60 sot, na ka zbritur 20. Z. Gjiknuri ka llogari realiste dhe është i sprovuar në garën politike. Ne jemi atje ku ka tërmet, atje ku ka pandemi, atje ku ka krizë çmimesh, pra PS ka treguar pavarësisht gjithë gabimeve, mëkateve, quajini si të doni, ne vijmë para njerëzve me një garanci të madhe. PS s’ka hequr asnjëherë vëmendjen dhe besimin te reforma në drejtësi, pavarësisht se ajo reformë po heton miq dhe kolegë të dashur tanët. Por ne s’mund ta çojmë vendin në Europë nëse ligji s’funksionon për të gjithë njësoj. Pandëshkueshmëria në PS s’ka për t’u strehuar ndonjëherë. Ndërkohë që përballë nesh janë disa dinozaur të politikës shqiptare që nuk ofrojnë shpresë. Atje është një model, janë ca baca të vjetër që lëvizin fijet dhe vendosin një djalë të ri, dhe thonë hajt se po na mbron ky. Nuk mund të bëhen pis inceneratorët me procese të ndërtuara keq, apo një pjesë të procesit të ndërtuar keq.
Ka dy dimensione që po ndodhin në mënyrë paralele, ose më mirë në mënyrë të integruar, një ajo që nisi në maj pas Kongresit të PS, ripërtëritja e PS, një disiplinë e ushtruar nga PS, pasi besojmë që kjo është edhe magjia dhe fuqia e PS, gjithmonë e hapur për shoqërinë shqiptare. Çdo gjë filloi nga baza, në një proces llogaridhënie, për të zgjedhur bashkëkryetarët. Kjo është jo vetëm për barazinë gjinore, por për t’i shtuar vlerën. Kemi parë që në shoqërinë shqiptare gratë kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm, dhe PS s’mund ta humbiste këtë fuqi që sjell femra. PS është një lëvizje, një organizëm i gjallë, ku kritikohet, ku patjetër ka pakënaqsira, ku mund të ketë njerëz që vijnë drejtpërdrejt nga shoqëria, pa kaluar shkallët e partisë. Njëra ishte ripërtëritja e PS, dhe ana tjetër është llogaridhënia e kryetarëve të bashkisë në detyrë. Jam i bindur që kabineti ynë qeveritar përfaqëson tiparet më të mira të shoqërisë sonë. Ne jemi lider në këtë gjë në Ballkan. Duhet të vazhdojmë të rrisim ritmin në këtë gjë. Nëse do merreshim me CV-në e atyre zonjave do shohim që ato vijnë nga bota akademike. Le të flasë puna konkrete dhe puna flet vetë”.



