Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu vizitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Tiranë, e sheh si përpjekje për shkrirje të akujve mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë dhe refuzimit që Kryeministri Kurti i bëri Ramës në takimin informal me liderët e rajonit gjatë muajit korrik.
Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN Tv, ai shtoi se kjo vizitë do të thotë të shkrirje e akujve dhe në rrafshin më institucional, duke nënvizuar se Vjosa Osmani dhe Bajram Begaj, janë de fakto asistent të Ramës dhe Kurtit.
Raportet e tensionuara janë vetëm ndërmjet Kryeministrave për shkak të ambicieve politike për të dominuar hapësirën shqiptare. Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk ka pse të jenë të acaruara.
Është interes i dyanshëm për të patur marrëdhënie vëllazërore. Kjo është thelbësore për marrëdhënie të tjera ndërkombëtare.
Si do të ndërtosh marrëdhënie me të tjerët nëse çalon me vëllanë tënd? Kjo vizitë shërben në aspektin propagandistik të shpërthejë murin.
Kosova është prioritet kombëtar për Shqipërinë dhe Begaj ka thënë një gjë të vërtetë.
Paraqitja e draft asociacionit nga Kryeministri i Shqipërisë për mënyrën si e bëri ishte thikë pas shpine jo vetëm ndaj Kryeministrit Kurti, por dhe ndaj Kosovës.
Kurti nuk ka bërë ndonjë gjë që do të dëmtonte interesat e Shqipërisë, por ka sulmuar Kryeministrin Rama por jo Shqipërinë, dhe kjo dëmton interesat e Kosovës.
Rama ka ndërmarrë hapa që kanë dëmtuar jo vetëm Kurtin por edhe Kosovën, me anulimin e mbledhjes së qeverive.
Apo me deklaratën për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Është ndërhyrje në punët e brendshme, si mund të mbrojë të drejtat, kur Kosova është shpallur shtet dhe Shqipëria e ka njohur Kosovën.
Teksa në 14 shtator është zyrtarizuar takimi i radhës mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, Spahiu deklaroi se është interesi i Kosovës që sa më parë ta përfundojë problemin me Serbinë.
Nuk dimë se çfarë do të sjellë e nesërmja. Ne nuk kemi një shpresë se Kosova do bëhet ushtarakisht apo ekonomikisht më e fuqishme se Serbia, që ta zgjidhë këtë problem dhe ta njohë pavarësinë.
E vetmja mënyrë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, Serbia, është përmes presionit të aleatëve, nëse nuk shfrytëzohet ky rast tani, vështirë që ndonjë shans më i volitshëm të shfrytëzohet ndonjëherë.



